Plani për të sulmuar Ervis Martinajn, një shef “IT” në Policinë e Shtetit jepte informacion te “Doqja” dhe vëllezërit Duka

Sigurimi i informacioneve, për lëvizjet jashtë shtetit të biznesmenit, Ervis Martinaj, dhe kalimin e tyre tek klani i vlonjatëve të drejtuar nga Fatmir Hyseni alias “Doqja” dhe dy vëllezërit Erlis e Leonard Duka në Tiranë, ka çuar në marrjen të pandehur të një specialisti IT-e në Policinë e Shtetit, punonjësen e një agjencie udhëtimi që ndodhet në zonën e “Myslym Shyrit” dhe të fejuarin e kësaj të fundit.

“Ora News” mëson ekskluzivisht se punonjësi i policisë me detyrë specialist IT në Durrës, është Ardian Ahmeti, kushëri Daut Elmazit, nipit të Armando Sulejmanit ose “Çipurit” të Vlorës. Ndërsa punonjësja e agjencisë së udhëtimit, që merrte info për lëvizjet në Kosovë dhe Turqi të Ervis Martinaj, është Nensi Shaqiri. Të njëjtën gjë bënte dhe i fejuari i saj, Dejvison Serjani.

Të tre këta persona ishin vënë në shërbim të klanit vlonjat që kryejnë vrasje me pagesë dhe klanit Duka në Tiranë, ku synonin të ekzekutonin me armë, Ervis Martinaj.

Ky i fundit është gjurmuar prej këtyre persona në Kosovë dhe në Turqi, por fatmirësisht nuk është arritur që të realizohet krimi, pasi objektivi lëvizte i shoqëruar me disa persona. Prokuroria e Vlorës, e cila në këtë hetim ka bashkëpunuar dhe autoritet e Drejtësisë Turke, ka zbuluar se personat që kanë udhëtuar në 4 qershor 2019 nga Prishtina në drejtim të Stambollit, Turqi, kanë qëndruar në të njëjtin hotel.

Dosja penale që flet për dy grupet e rrezikshme që veprojnë në Tiranë dhe Vlorë, tashmë ka mbëritur në prokurorinë e Tiranës.

Kjo pasi prokurorët e Vlorës, kanë shpallur kompetencën lëndore për të pandehurit, Ardjan Ahmeti, Nensi Shaqiri dhe të fejuarin ne kësaj të fundit Dejvison Serjani.

Sipas akuzës së Vlorës, të tre këta persona akuzohen për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”.

Ndërsa tashmë çështja penale kundër tyre ndodhet në tavolin e prokurorit të Tiranës, Dritan Nushi. Në dëshminë që ka dhënë e pandehura Nensi Shaqiri, ka shpjeguar se Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentjan Dautaj, i thirrur ndryshe “Gegeja” dhe Fatmir Hyseni i thirrur ndryshe “Doqe”, i njeh shumë mirë fizikisht, pasi i njeh nga Daut Elmazi, djali i dajos së të fejuarit të saj, Dejvison Serjani.

Shaqiri thotë se në muajin Maj, të vitit 2019 Dauti, u kishte thënë, atyre, asaj dhe të fejuarit të saj, se Fatmir Hyseni po në muajin Maj të vitit 2019, kishte bërë një atentat me armë në Vlorë, por që nuk e kishte realizuar dot pasi nuk i kishte shkrepur arma.

Për ngjarjen në Vlorë, që Fatmirit nuk i kishte shkrepur arma ajo kishte dëgjuar dhe në media në muajin Maj të vitit 2019 dhe ka bërë lidhjen me atë që i tha, Dauti.

Që nga ky moment për një kohë shumë të gjatë, ajo nuk e ka parë më, Fatmir Hysenin. Në lidhje me informacionin për lëvizjet e Ervis Martinaj ajo e ka marrë këtë informacion nga agjencia ku punonte, pasi Martinaj ka prerë biletë udhëtimi dhe këtë informacion nëpërmjet të fejuarit dhe Daut Elmazi, i ka dhënë vëllezërve, Duka, kundrejt një pagese në vlerë të konsiderueshme.

Dyshohet se për këtë informacione është paguar një shumë financiare prej 30 mijë euro. Ky fakt është konfirmuar dhe nga deklarimet e shtetasit Deivisjon Serjani, i fejuar i saj dhe punonjësi i policisë Ardjan Ahmeti, që tashmë është marrë i pandehur./Ora News/

 

 

 

 

 

 

 

 


Shtuar 20.10.2021 20:21