Shtyhet sërish seanca për çështjen Babale, mungon avokati i gazetarit Jetmir Olldashi

Është shtyrë sërish seanca e cila ishte planifikuar për t’u zhvilluar këtë të mëkurë në lidhje me dosjen ‘Babale’, çështje për të cilën është dënuar deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi. Shkak për shtyrjen këtë herë është bërë mbrojtësi i gazetarit Jetmir Olldashi, i cili ka kërkuar shtyrjen e seancës, pasi ka dorëzuar një raport për paaftësi të përkohshme në punë.

Pritet që gjykata të caktojë një datë tjetër për zhvillimin e seancës. Seanca e fundit që u zhvillua në korrik, u shty pasi një nga anëtarët e trupit gjykues kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në seancën e njoftuar.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.

Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvani) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

Gjykata Penale dënoi me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”. Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.c


Shtuar 28.09.2022 11:14