VIDEO/ I vodhi 23 000 euro në banesë bashkëfshatarit, arrestohet 48-vjeçari në Fier

Policia e Fierit ka finalizuar ditën e sotme fazën e dytë të operacionit policor të koduar “sinjali”.

Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një 48-vjeçar, i cili vodhi 23 mijë euro në banesën e shtetasit V.M (të arrestuar dje, për posedim të 4 armëve).

Vajza e 48-vjeçarit është proceduar penalisht, mbi dyshimin se ka bashkëpunuar në kryerjen e kësaj vjedhjeje.

Nga shuma e vjedhur janë sekuestruar vetëm 8100 euro.

Si rezultat i hetimeve intensive, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas indicieve se një shtetasi të arrestuar ditën e djeshme, për armëmbajtje pa leje, i kishin vjedhur në banesën e tij (në oborrin e së cilës, u gjetën të fshehura në një çantë, 3 pistoleta, 1 armë gjahu dhe fishekë luftarak), një shumë parash, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit policor të koduar “Sinjali”.

Gjatë kësaj faze, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. L., 48 vjeç, banues në fshatin Levan, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se 48-vjeçari ka vjedhur në banesën e shtetasit tashmë të arrestuar V. M., 23 000 euro.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për vajzën e shtetasit F. L., shtetasen M. L., 22 vjeçe, banuese në fshatin Baltëz, Fier, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 48-vjeçarin, për të kryer këtë vjedhje.

Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit F. L., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 8100 euro të dyshuara nga shuma e vjedhur në banesën e shtetasit V. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./Albeu.com.


Shtuar 7.09.2023 14:33

Tags: ,