I vendosi vëllait tritol për të ikur në azil në Francë, lihet në burg Alfred Debreshi (FOTO LAJM)

Ditën e sotme Gjykata e Dibrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Alfred Debreshin.

Debreshi akuzohet se i ka vendosur sasi eksplozivi, tritol, vëllait të tij, shtetasit Elton Drebreshi,minator dhe ish-kandidat për deputet.

Alfred Debreshi akuzohet për “shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “mbajtje pa leje të armëve shpërthyese”.

Prokuroria e Dibrës dyshon se atentati me tritol është sajuar nga Debreshi në bashkëpunim me vëllanë e tij me qëllim përfitimin e azilit në Gjermani.

Dyshimet bazohen në përgjimet ambientale të dy vëllezërve Eltonit dhe Alfredit.  Nga përgjimet rezulton se shtetasi Alfred Debreshi, është person i implikuar drejtpërdrejt pas vendosjes së lëndës shpërthyese mbi automjetin në pronësi të Debreshit, pasi në bisedat e tij, ai disa herë i drejtohet vëllait të tij, Eltonit, me fjalët:

“Më fute në burg, me q… nanën”, “e din se m’ke çu në burg o plak”, “na q… nanën mor burrë”.

Deklarata e Elton Debreshit pas shpërthimit të makinës:

Unë jam kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar Bulqizë, ku dhe kam kandiduar për deputet në qarkun Dibër si kandidat i pavarur për të përfaqësuar minatorët e Bulqizës.

Rreth orës 22:00, kam shkuar në shtëpi, kam parkuar makinën para shtëpisë dhe kam qëndruar me familjen time. Bashkëshortja me fëmijët u larguan më përpara për të fjetur, ndërsa unë kam shkuar për të fjetur rreth orës 23:00. Rreth orës 00:20, kam dëgjuar një shpërthim, i cili dukej afër shtëpisë time. Jam ngritur me gjithë bashkëshorten për të parë fëmijët se mos ishin trembur dhe nga dritarja e tyre kemi parë tym në drejtim të makinës time.

Kur dola jashtë, pashë se kofano e makinës ishte e ngritur, ventilatori i makinës ishte i ndezur, xhami makinës ishte i thyer dhe te pjesa e motorit dilte tym. Unë i kam hedhur një kovë ujë se kisha frikë mos merrte flakë dhe kam njoftuar Policinë.

Gjatë kohës që po prisja Policinë nga kodra ka kaluar një makinë e bardhë, e vogël, në të cilën dallova shtetasin Fatjon Truka, nga fshati Dushaj, i cili ishte me djalin e tij të dytë, i quajtur Musa, të cilët dolën nga makina më folën se çfarë kisha dhe pastaj ikën. /albeu.com/


Shtuar 31.08.2021 15:49