Abetare e përbashkët Shqipëri-Kosovë, Kushi: Nisin trajnimet e mësuesve

Ditën e sotme do nisin trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, Shqipëri-Kosovë. Këtë lajm e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit Evis Kushi e cila lajmëron se nga sot do të startojë puna për trajnimin dhe promovimin e abetares së përbashkët.

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi. Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës! –përfundon statusin ministrja Kushi./albeu.com