Kina ka gati ushtrinë dhe mund ta pushtojë së shpejti Tajvanin

Nga Gordon Chang “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Duket se Xi Jinping nuk mund të ndalojë dot së foluri për luftë. Ai po i përgatit shpejt civilët dhe ushtrinë e Kinës për këtë skenar, dhe kërkon që Tajvani t’i nënshtrohet më në fund shtetit të tij komunist. Siç e bëri të qartë në një deklaratë të sajën Ministria e Jashtme kineze më 15 gusht “Tajvani është pjesë e interesave thelbësore të Kinës”.

Populli i Tajvanit, që në përgjithësi nuk e sheh veten si “kinez”, nuk do të jetë dakord që Xi të aneksojë atdheun e tyre. Prandaj nëse do që ta sundojë, Xi do të detyrohet që ta aneksojë me forcë republikën ishullore. Dhe kjo ngre një nga pyetjet më të rëndësishme në botë sot: Kur do ta pushtojë Kina Tajvanin?

Plani i sulmit ndaj Tajvanit

Sikurse u shpreh presidenti amerikan Joe Biden gjatë një fjalimit të mbajtur në qershor, Xi Jinping është një “diktator”. Ndaj shtrohet pyetja: A ka diktatori i Kinës pushtet të mjaftueshëm brenda Partisë Komuniste për të urdhëruar vetë një pushtim, pa u konsultuar me të tjerët?

Kjo nuk është e qartë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për Tajvanin unë mendoj se në fund ai mund të arrijë atë që dëshiron. Nga gjithçka që mund të themi mbi Xi-në, ekzistojnë 3 faktorë kryesor që diktojnë edhe kohën e një sulmi të mundshëm: kalendari elektoral në SHBA, zhvillimet e brendshme politike në Tajvan dhe afati që do të vendosë vetë presidenti kinez bazuar në situatën e brendshme të vendit.

Është e vështirë të kuptohet se cili është faktori më i rëndësishëm për liderin ambicioz kinez. Për momentin politika e Tajvanit mund të pengojë Xi-në. Tajvani i mban zgjedhjet e ardhshme presidenciale më 13 janar 2024. Zv/presidenti në detyrë Lai Ching i Partisë Demokratike Progresive kryesonte me 16.8 për qind në një sondazh të kohëve fundit.

Lai është në avantazh sepse opozita është e përçarë në mbështetjen e saj midis 2 kandidatëve të shpallur deri tani – Hou Yu-ih i Kuomintang dhe Ko Wen i Partisë Popullore të Tajvanit – dhe një kandidati të mundshëm nga një kamp i tretë, Terry Gou.

Nuk asnjë dyshim, që Pekini shpreson se 3 partitë miqësore me Kinën mund të vendosin për një kandidat të përbashkët për t’iu kundërvënë Lai, që flet në favor të një Tajvan të fortë dhe të pavarur.

Prandaj një pushtim nuk ka gjasa të ndodhë derisa kandidatët e opozitës të vendosin se çfarë do të bëjnë. Megjithatë, nëse Pekini beson se Lai do të fitojë, Xi do të rritë thuajse me siguri presionin mbi ishullin në një përpjekje të fundit për të lëkundur votuesit.

Siç tha së fundmi një analist, kinezët duan që Tajvani “të ketë frikë nga lufta”. Një fitore e Lait, që do të ishte sigurisht një fitore e botës së lirë, mund ta bindë Xi-në të pushtojë ishullin. Nga ana tjetër, Xi mendon se mund të anashkalojë përplasjen me SHBA-në.

Mjerisht Biden i ka ulur shumë tonet e kritikës ndaj Kinës në muajt e fundit, dhe kjo mund t’i krijojë Xi-së idenë se SHBA nuk do ta mbronte Tajvanin nëse sulmohet, të paktën përpara 20 janarit 2025.

Gjërat nuk duken mirë për SHBA-në. Dhe goditja e fundit i Xi-së ndaj dy zyrtarëve të lartë të Forcës Raketore, dega e Ushtrisë Çlirimtare Popullore që kontrollon pothuajse të gjitha armët bërthamore të vendit, sugjeron se ai dëshiron të kërcënojë me përdorimin e armëve bërthamore për të garantuar tërheqjen e një Biden të dobët nga mbrojtja e Tajvanit.

Faktori i fundit është i brendshëm. “Unë mendoj se Xi Jinping nuk ndikohet nga kalendari politik i të tjerëve, qofshin këto zgjedhjet në Tajvan apo në SHBA. Ai drejtohet nga vizioni i tij për një revolucion modern kulturor dhe gjeopolitik, që mban Partinë Komuniste në pushtet dhe sulmon armiqtë e saj”- thotë Steve Yates, kryetar i Iniciativës së Politikës së Kinës në “America First Policy Institute”.

Sipas Yates “sistemi ekonomik i Kinës tashmë në rënie, përbën kërcënimin më të madh për Xi dhe misionin e tij”. Ekonomia dhe sistemi financiar i Kinës po shfaqin shenja të forta stresi. Kompanitë e mëdha që merren me pasuritë e paluajtshme, dhe që janë shtyllat kryesore të ekonomisë, janë duke falimentuar njëra pas tjetrës.

Monedha vendase po zhvlerësohet; çmimet e aksioneve të tyre në bursa po bien; investitorët po tërheqin para nga vendi; ndërsa shumë bizneset po largohen nga Kina. Më 10 gusht, Biden deklaroi gjatë një takimi të Partisë Demokratike për mbledhje fondesh në Utah se “Kina është në telashe”.

Ose të paktën Xi Jinping dhe Partia Komuniste. Biden e quajti me të drejtë vendin komunist “si një minë me sahat”. “Ata kanë disa probleme. Dhe kjo nuk është diçka e mirë, sepse kur njerëzit e këqij kanë probleme, ata bëjnë gjëra të këqija”- theksoi presidenti i SHBA-së.

Dhe Xi Jinping po e forcon sjelljen e tij agresive, veçanërisht në Kinë. Ai po fajësohet për përkeqësimin e situatës, dhe për shkak se ka grumbulluar një pushtet pothuajse të paprecedentë, nuk ka askënd tjetër që t’i kërkojë llogari. Për më tepër, gjatë sundimit të tij ai ka rritur ndjeshëm koston e humbjes së betejave politike.

Prandaj, sundimtari i Kinës ka tani stimujt e duhur për të vepruar në mënyrë të pamatur.

Atij mund t’i duhej së shpejti që të bëjë një zgjedhje. Ose mund të lejojë që të rrëzohet nga zhvillimet e brendshme tejet alarmante duke i dhënë fund sundimit të Partisë Komuniste ose mund të tubojë popullin kinez përmes një lufte.

Kina nuk është gati të hyjë në një luftë, por paradoksalisht ky fakt i shton shanset që Xi Jinping ta fillojë një të tillë. Pse? Sepse Xi mund të arrijë në përfundimin se Amerika është e papërgatitur pasi Biden mendon se një Kinë e papërgatitur nuk do të hyjë në betejë.

Siç mund ta shohin të gjithë, në Zyrën Ovale dhe në radhët e larta të Pentagonit ka mungesë të ndjenjës së urgjencës në lidhje me Tajvanin. Ajo që nuk kupton Joe Biden është se Partia Komuniste mund të vendosë, për arsye të ndryshme, që të hyjë në luftë edhe kur nuk është gati.

“Gjatë 40 viteve të fundit, Partia Komuniste e Kinës është përgatitur për një luftë brutale, dhe tani organizata në pushtet po i përshpejton planet e saj”- më tha kohët e fundit Richard Fisher i Qendrës Ndërkombëtare të Vlerësimit dhe Strategjive. Po, Kina mund ta kapë Amerikën në befasi, dhe tani një regjim i dëshpëruar ka arsye që ta bëjë këtë.

Shënim:Gordon Chang ka jetuar dhe punuar në Kinë dhe Hong Kong për gati 2 dekada, më së fundmi në Shangai, si këshilltar i studios ligjore amerikane Paul Weiss.

 


Shtuar 28.08.2023 10:24