Depay apo Lautaro? Kush do ta marrë numrin 9 te Barcelona

Pavarësisht se Barcelona nuk është ende e qartë dhe konkrete me largimet e futbollistëve, duhet patjetër që të sigurojë shërbimet e një sulmuesi.

Merkatoja do të mbyllet më 5 tetor dhe koha në dispozicion nuk është e pafundme.

Luis Suarez vazhdon të stërvitet nën urdhrat e trajnerit holandez, por ai nuk do të jetë pjesë e klubit dhe do të largohet gjatë ditëve të ardhshme. Ansu Fati dhe Grizman mund të luajnë në majën e sulmit, por klubi ka nevojë për një tjetër numër 9 të fortë. Lautaro Martinez, i cili është i pari në listën e dëshirave dhe Memfis Depaj do të rivalizojnë njëri-tjetrin për rolin e sulmuesit. Dy kandidatë të fortë, që kanë arsye pro dhe kundër.

Gazeta katalanase “Sport” bën një krahasim të dy lojtarëve. Secili ka aspekte pozitive dhe negative, por e sigurt është që bëhet fjalë për dy sulmues të një niveli të lartë, që mund të përshtaten mjaft mirë në projektin e Kumanit. Secili me mënyrën e tij. Le ta nisim me Depajn, i cili është një lojtar me karakter, gjaknxehtë.

Do të sillte personalitet në skuadër. Është shumë i fortë dhe ka goditje të mirë. Për më tepër mund të luajë në 3 pozicionet e sulmit, pavarësisht se drejtuesit duan një bomber. Depaj nuk është në numër 9 i lindur, por ka karakteristikat e tilla. Luan mirë me shpinë nga porta dhe di të krijojë rrezik në çdo moment.

LAUTARO FAVORITI- Por nëse ka një emër që i pëlqen vërtet Barcelonës është Lautaro Martinez. Nuk është një sulmues zone, por lëviz shumë dhe bashkëpunon në lojë. Sezonin e kaluar shënoi 21 gola në 49 ndeshje me Interin. Shfaqet në momentet vendimtare të ndeshjes dhe është talent i lindur. Mund të luajë si sulmues i vetëm, por edhe me një tjetër në këtë repart. Disa opinionistë mendojnë se i mungojnë ende disa karakteristika për ta quajtur lojtar të madh, por ai është gati.

Ka raport të mirë me Mesin dhe njihen prej kombëtares. Kjo gjë mund ta ndihmojë që të integrohet shpejt në skuadër. Por Interi nuk ka ndërmend që ta lëshojë pa 100 milionë euro, pavarësisht se agjentët e tij janë duke biseduar prej kohësh me Barcelonën. Kjo është një arsye kundër tij, sepse Depaj është më i lirë dhe kushton vetëm 25 milionë euro. Në ditët në vazhdim do të kuptohet më mirë.


Shtuar 13.09.2020 20:44