Parlamenti gjerman shqyrton mandatin e KFOR-it

Parlament gjerman do të shqyrtojë sërish në maj zgjatjen e mandatit për pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.

Parlamenti gjerman do të diskutojë të enjten, më 11 maj 2023 mocionin e paraqitur nga qeveria gjermane për zgjatjen edhe me një vit të mandatit të stacionimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë. Pas debatit prej 40 minutash, mocioni do t’u kalohet komisioneve përkatëse. Trupat gjermane janë përfshirë në misionin e KFOR-it që nga 12 qershori 1999, me hyrjen në fuqi të rezolutës 1244 të OKB-së.Të mërkurën, më 3 maj 2023, kabineti qeveritar i kancelarit Olaf Scholz mori vendimin përkatës për zgjatjen e mandatit.

Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës mbetet kryesisht e qetë dhe stabile, por tensionet e herëpashershme në pjesën veriore, si në fund të vitit 2022, e bëjnë të domosdoshme vazhdimin e mandatit, argumentoi zëdhënësi i qeverisë federale, Steffen Hebestreit, në konferencën e rregullt për media pas mbledhjes së kabinetit.

Sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane e sheh stabilizimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor me interes të madh gjeostrategjik, tha Hebestreit. Numri maksimal i ushtarëve gjermanë që mund të angazhohen në kuadër të KFOR-it gjatë 12 muajve të ardhshëm mbetet i pandryshuar, 400. Aktualisht në Kosovë janë stacionuar afro 70 anëtarë të Bundeswehr-it. Por mandati i jep mundësi ministrit të Brendshëm që ta rrisë këtë numër në rast nevoje.

Shpenzimet e Gjermanisë për angazhimin e ushtarëve të saj në KFOR pritet të arrijnë në rreth 6.1 milionë euro për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Por kontributi i Gjermanisë në Kosovë është më i madh se kaq. Që nga viti 1999, ajo ka shpenzuar rreth 880 milionë euro për zhvillimin e Kosovës. Bashkëpunimi aktualisht është i fokusuar në fushat e energjisë, kanalizimeve, ekonomisë rrethore, arsimit dhe rritjes së qëndrueshme. Një projekt kryesor i bashkëpunimit zhvillimor është shndërrimi i kampit të Prizrenit në një park inovacioni dhe teknologjie./dw/