Mickoski: Do të ngremë padi ndaj ekspertëve, pjesë të ndryshimeve kushtetuese

Kreu i VMRO-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski u shpreh sërish se ai dhe partia e tij kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese dhe se Qeveria nuk e ka përkrahjen e tyre. Ai po ashtu paralajmëroi se do të ketë përgjegjësi dhe kërcënoi me kallëzime penale ekspertët që do të jenë pjesë e grupit punues për ndryshimet kushtetuese.

“Ekspertët? A janë ata ekspertë? Më vjen turp për turpin e tyre. Do të jetë një politikë tjetër e Kovaçevskit që ka dështuar dhe pastaj përgjegjësi penale për ata që do të marrin honorare nga populli dhe praktikisht nuk do të bëjnë asgjë, sepse puna e tyre është e kotë”

Në grupin e ekspertëve bëjnë pjesë profesorë universitarë dhe gjykatës duke nisur nga ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Sali Murati, ish-gjyqtarja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg, Margarita Caca Nikollovska, ish-gjyqtari dhe profesor i së drejtës kushtetuese, Bajram Pollozhani, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Branko Naumovski, profesori universitar Jeton Shasivari, profesoresha Ana Çupeska, profesoresha Elena Mihajllova Stratillati, profesoresha Besa Arifi, Jagoda Mitrevska dhe profesoresha në Institutin e Historisë Kombëtare, Marija Pandevska./shenja