“Do t’ju parashikoj të ardhmen”, mashtronte njerëzit dhe u merrte para, arrestohet 43-vjeçarja në Fushë-Krujë (EMRI)

Elena Muhaxhiri, 43 vjeç, është arrestuar nga policia.

43-vjeçarja nga Fushë-Kruja ishte shpallur në kërkim pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm, duke i mashtruar se mund t’i parashikonte të ardhmen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Streha”.

“Si rezultat i këtij operacioni, në Fushë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetases në kërkim Elena Muhaxhiri, 43 vjeçe, banuese në Fushë Krujë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetase, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm, duke i premtuar se mund t’i parashikonte të ardhmen.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com. 


Shtuar 22.06.2023 09:15