Kriza, ministrja e Financave: Është rritur punësimi, inflacioni në Shqipëri ndjeshëm më i ulëti në rajon

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka folur sot për situatën ekonomike në vend, një konferencë për mediat me përfaqësues të misionit të FMN dhe guvernatorin e BSH Gent Sejko.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj u shpreh se inflacioni në vend, edhe pse është shkaktuar nga goditja e ofertës globale për disa mallra bazë, sërish mbetet më i ulëti në rajon.

Ajo shtoi se gjasat për recesion të ekonomisë sonë vitin e ardhshëm duken të ulëta, por se do të jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatjeje.

“Goditja globale nga kahu i ofertës sigurisht që ka pasur dhe do ketë një ndikim negativ në ekonominë tonë, siç ka pasur në vendet e rajonit e më gjerë. Deri tani ekonomia e ka përballuar mirë. Rritja ekonomike në gjysmën e parë 2022 4.2%. Papunësia u ul në 11.3 % në 6 muajt e parë. Punësimi u rrit me 4.3% në gjysmën e parë të vitit. Kemi pasur një rritje me 35% në flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte. Aktualisht leku është nënçmuar me 8% ndaj dollarit dhe mbiçmuar ndaj euros me 4%.

Ministria e Financave ka parashikuar të rrisë projeksionin në 3.7% nga 3.2% që ishte për rritjen ekonomike. Nëse ndodh një skenar i plotë recesioni në vendet partnere të BE-së, ndoshta dhe rritja e vitit të ardhshëm mund të jetë me ulët se 2%. Balanca totale e risqeve anon më tepër në kahun negativ. Gjasat për recesion të ekonomisë sonë vitin e ardhshëm duken të ulëta. Ne do të jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatjeje. Inflacioni në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit dhe mesataren e BE-së ka qenë ndjeshëm më i ulët. Në gusht 8% inflacioni”, tha Ibrahimaj.


Shtuar 10.10.2022 10:30