Momenti kur ushtria e Putinit sulmon me bomba fosfori në Azovstal (VIDEO)

Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e tretë të saj, qyteti më i goditur i vendit duket të jetë Mariupoli.

Në Mariupol me qindra ushtarë vijojnë të mbeten të bllokuar në fabrikën e çelikut Azovstal.

Ukraina akuzoi forcat ruse për hedhjen e bombave me fosfor në atë zonë.

Një video nga ajri që është postuar në mediat sociale tregon sulmin në uzinë, ku ushtarët ukrainas po bëjnë rezistencën e tyre të fundit në këtë qytet port, që është kthyer në rrënoja. Pas javësh të rrethimit dhe bombardimeve ruse, Mariupol, i vendosur në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, është në duart e rusëve, por qindra luftëtarë ukrainas po qëndrojnë nën zjarr të fortë në fabrikën e çelikut.

Një numër i civilëve që ishin strehuar në uzinë u evakuuan këtë muaj me ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe OKB-së. Video e sulmit nis me një pamje ajrore të uzinës Azovstal, kur papritmas një raketë ruse shpërthen në ajër, duke lëshuar një shpërthim mbi ndërtesat e fabrikës, që tashmë janë dëmtuar rëndë, raporton Daily Mail.

‘Shkëndijat’ – të cilat në fakt janë një grup municionesh ndezëse, bien në tokë dhe ndizen. Nga larg, shpërthimet duken pothuajse si flakë zjarri, por në realitet janë një seri shpërthimesh të panumërta.

Ndërsa kamera del jashtë, shihen më shumë breshëri municionesh që shpërthejnë mbi uzinë, duke rënë ‘shi’ eksplozivi dhe flakë nga lart. Ukrainasit pretenduan se videoja tregonte forcat e Vladimir Putinit duke hedhur bomba ndezëse dhe fosfor 9M22S në Azovstal, që një zyrtar tha se digjen në temperatura mbi 2,000 gradë Celsius.

“Vetë ushtria ruse pretendon se janë përdorur predha ndezëse 9M22S me shtresa termite”, thanë ukrainasit. Temperatura e djegies është rreth 2000 deri në 2500 gradë Celsius. “Është pothuajse e pamundur të ndalosh djegien”, tha të dielën Petr Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit.

Pas publikimit të videos, gratë dhe nënat e ushtarëve ukrainas të bllokuar në fabrikë i thanë Sky Neës se kishin frikë se luftimeve rezistente po i vinte fundi.