Akuzat për Portin e Durrësit, Basha i përgjigjet Berishës: Non-grata gënjen sepse është i përfshirë kokë e këmbë në aferë

Një ditë më parë, kreu i PD hodhi tjetër akuzë ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se “Rama shkriu aksionet me ish-liderin e opozitës për të plaçkitur shqiptarët”.

Berisha deklaroi se, menaxheri i Emaar vazhdon të jetë edhe menaxher i Bashës, ndërkohë që tha se nuk ishte e vërtetë ajo që deklaroi se kishte dhënë dorëheqjen si menaxher i Bashës.

“Çështje tjetër e rëndësishme e rendit të ditës është afera mafioze korruptive, më e madhe ndoshta jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe Evropës, Porti i Durrësit. Porti i Durrësit përbën aktin më madhor të krimit ekonomik të një organizate të strukturuar kriminale me të cilën shqiptarëve u plaçkitet pasuria numër një. Përben aktin mafioz në të cilën Edi Rama shkriu aksionet dhe me ish kreun e opozitës, për t’i bërë gjëmën shqiptarëve dhe pluralizmit politik. Duhet të sqarojmë shqiptarët se kur mediat njoftuan se menaxheri i Emar dhe menaxheri i kompanisë familjare Basha ishte i njëjti person, cfarë ndodhi? Unë nuk po bëj politikë. Ky menaxher doli dhe tha se unë dhashë dorëheqjen nga kompania Basha.  I pari unë besova se dha dorëheqjen, por unë dhe ata që besuam se kjo ndodhi, gabuam. Kjo nuk kishte ndodhur dhe ishte një mashtrim. Një muaj më vonë, ky dopio menaxher u gjet se vazhdonte detyrën në kompaninë Basha. Dopio menaxheri nuk dha dorëheqjen nga Emar, ai tha se dhashë dorëheqjen nga Basha. Por në fakt ai vazhdonte menaxher i të dy kompanive. Ky përbën një akt shekspirian në kuptimin e gllabërimit të opozitës në një aferë të tmerrshme mafioze. Është aspekti i tretë shumë i shëmtuar për portin e Durrësit”, theksoi Berisha.

Sot, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur Berishës, duke e akuzuar ish-kryeministrin se është i përfshirë në aferën e portit të Durrësit dhe jo vetëm aty.

“Arsyeja pse non grata gënjen dhe shpif publikisht është që të heqë vëmendjen nga ky fakt: ai dhe oligarkët e oborrit të tij janë të zhytur kokë e këmbë në aferën e Portit të Durrësit. Dhe jo vetëm aty”, shkruan Basha