Rozeta Dobi i qëndron “besnike” deklaratës: Të gjitha eurot i mora në shtëpinë e Alda Klosit

Rozeta Dobi vijon t’i qëndrojë “besnike” deklaratave të dhëna të premten e kaluar në DVP Tiranë.

Burime bëjnë me dije se në deklarimet e fundit të marra të hënën e 6 shkurtit, Rozeta Dobi ka dhënë të njëjtën deklaratë si ajo e të premtes së 3 shkurtit.

Një ditë pas rrëfimit të saj, 4 shkurt, Alda Klosi u vu në pranga.

Albeu.com mëson se Dobi vijon të pretendojë se të gjitha paratë janë marrë në banesën e ish-zyrtares. Nga ana tjetër, argument më të fortë, mbrojtja e kësaj të fundit po përdor ndryshimet e deklarimeve të Dobit, që nuk përputhen me dy të parat për rrethanat e ngjarjes.

Mbrojtja e Klosit thotë se Prokuroria e Tiranës nuk ka marrë parasysh faktin që mes të tjerave, nënë e bir, përkatësisht Rozeta e Havier Dobi, kanë dhënë deklarime të njëjta në momentin e arrestimit, ku e pranuan ngjarjen si vjedhje por më pas, sanitarja tha se ishte inskenim.

Burime nga Prokuroria e Tiranës, bëjnë me dije se pas arrestimit të Alda Klosit dhe dëshmive të Rozeta Dobit, po kryhen verifikime edhe rreth origjinës së parave dhe mënyrës se si janë siguruar.

Ndërkohë, po ndiqen disa pista, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e implikimit të personave të tjerë, rrethana për të cilat hetuesit nuk kanë ende prova të mjaftueshme për të arritur në konkluzione.

Por pavarësisht kësaj, Dobi thonë burimet, ka treguar më shumë të dhëna, mbi fakte të reja shtesë, por prokuroria shprehet e rezervuar për detaje apo emra./Albeu.com/


Shtuar 8.02.2023 11:38