“Kanë fotografuar edhe uzinën e naftës në Patos”, gazetarja: Njëri prej tyre ka pranuar që është “spiun” rus

Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se dy rusët dhe ukrainasi që janë arrestuar nën dyshimet për spiunazh në uzinën e armëve në Gramsh, kanë fotografuar edhe uzinën mekanike të naftës në Patos, përpos godinave të tjera në vend.

“Kanë fotografuar uzinën mekanike të naftës në Patos. Nuk ishte dëgjuar as ne seancën gjyqesore. Janë fokusuar sipas prokurorëve tek dyert kryesore për të marrë detaje. Kanë fotografuar bazën e Pashalimanit, Bënjën në Përmet, kanë fotografuar Moglicën, Bovillën dhe ka vepra të tjera”, tha Lala në Opinion.

Lala tregoi se njëri nga rusët, Mikhail Zorin, sipas burimeve të saj konfidenciale, ka pranuar përpara hetuesve shqiptarë se është rekrutuar nga shërbimeve inteligjente ruse.

“Mikhail Zorin ka pranuar që është kontaktuar nga shërbimi inteligjent rus për shkak të një dosje që ai kishte të hapur në Rusi. Kjo pjesë e dosjes është nën sekret hetimor, nuk është bërë e ditur në gjykatë. Ai nuk thotë që unë jam paguar për të bërë njohje të këtyre bazave apo uzinave, por kisha detyrë të fotografoja nga afër dhe të shikoja nga afër gjendjen e tyre në terren. Prokurorët dyshojnë që ai mund të jetë shtrënguar. Ai ka marrë pjesë në protestat kundër Putinit në Rusi dhe mund të rrezikonte deri në 2 vite burgim ndërkohë që ishte student i shkëlqyer. Dy personat e tjerë mohojnë në mënyrë kategorike të jenë përfshirë”, theksoi gazetarja Klodiana Lala.