EMRAT/ Çmontohet grupi kriminal që u shpërndante drogë pushuesve në Vlorë

Shkatërrohet grupi kriminal që shpërndante lëndë narkotike në Plazhin e Gjipesë në Vlorë.

Policia bën me diej se janë arrestuar 4 persona dhe se janë sekuestruar armë të ftohta dhe municion luftarak.

Në pranga kanë rënë: Erlind Gjini, Mariglen Dhimogjini, Geri Beka dhe Mikela Zenunaj.

Gjatë kontrollit të çadrave të fjetjes së shtetasve të mësipërm, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri gjysëm automatike me një krehër, 256 fishekë luftarakë, 3 kavanoza qelqi dhe 4 qese plastike me rreth 600 doza lëndë narkotike, 2 peshore elektronike, radio marrëse-dhënëse si të policisë, thikë, 2 aparate celular dhe një automjet të llojit fuoristradë të markës “Toyota”.

Të katër shtetasit e vënë në pranga, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike tek pushuesit dhe turistët, që frekuentonin gjirin e Gjipesë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike./albeu.com/