“Dumani më premtoi 60 mijë euro”, Henrik Hoxha dëshmon në GJKKO për 1 orë e gjysmë: Pasi mora pagesën…

I penduari i drejtësisë Henrik Hoxha ka qenë paraditen e sotme GJKKO, për të dëshmuar për dy atentatet me katër viktima të ndodhura në Durrës tre vite më parë, ku u vranë vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhela Avdija.

Mësohet se Hoxha është futur në ambientet e GJKKO, i veshur me bluzën e Realit të Madridit ku kishte të stampuar emrin e tij dhe ka dëshmuar për një orë 30 minuta.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit dhe kemi folur më pas për t’u takuar. Dumani më premtoi 60 mijë euro nga të cilat më dha 34 mijë sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky ka qenë në timon, unë të sedilja e pasme e pasagjerit. Kam pasur dy pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Sipas Dumanit objektivi ishte Dorian Shkoza. Madje ky i ka dalë para Avdiajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar.

Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka deklaruar ai.

 


Shtuar 30.05.2023 11:18