“Do të kalojë kohën e mbetur pranë familjes”, ish-presidenti amerikan do të marrë kujdes paliativ në shtëpi

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, ka vendosur të “kalojë kohën e tij të mbetur në shtëpi me familjen e tij” dhe do të marrë vetëm kujdes paliativ, në vend të trajtimeve mjekësore shtesë, njoftoi sonte Qendra Carter.

“Ai ka mbështetjen e plotë të familjes dhe ekipit mjekësor. Familja Carter kërkon që të respektohet privatësia e tyre gjatë kësaj kohe dhe është mirënjohëse për shqetësimin e mbështetësve nga fansat e tij të shumtë”, tha fondacioni i ish-presidentit 98-vjeçar.

Carter është ish-presidenti më i vjetër i SHBA-së. Vitet e fundit ai është përballur me shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë një melanoma që i dha metastaza në mëlçi dhe tru.

“Pas shtrimeve të njëpasnjëshme, të shkurtra në spital, ish-presidenti vendosi sot të kalojë kohën e mbetur me familjen e tij”, tha fondacioni.