Për të ndëshkuar vërtet Putinin, Perëndimi duhet të dialogojë si partner me vendet e Jugut Global

Nga Lesia Dubenko “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndërsa Asambleja e Kombeve të Bashkuara po përgatitet të votojë në lidhje me krijimin e një gjykate speciale për ta ngritur një akuzë zyrtare kundër Rusisë për krimin e agresionit, një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: që presidenti rus Vladimir Putin të dënohet për vendimin e tij për të nisur një luftë e paprovokuar kundër Ukrainës, Perëndimi ka nevojë për mbështetjen e të tjerëve.

Ose siç u shpreh vitin e kaluar Ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar, Evropa duhet të largohet nga mendësia se problemet e saj janë problemet e botës, dhe se problemet e botës nuk janë problemet e Evropës. Fatkeqësisht deri tani ka pak shenja se Evropa, Shtetet e Bashkuara apo Ukraina kanë arritur të ndryshojnë këtë qasje, dhe kjo shpjegon arsyen pse Rusia ka një sukses të kufizuar por të dukshëm në botën joperëndimore, përfshirë Indinë.

Rusia i ka përdorur prej vitesh si një armë problemet globale në mbarë botën, dhe për gëzimin e madh të Moskës, nuk ka mungesë të tyre. Nga pasojat e vazhdueshme të kolonializmit perëndimor deri tek shfrytëzimi i hapur i fuqisë punëtore të lirë nga ndërmarrjet globale, ka gjithmonë një çështje që Rusia e përforcon, shfrytëzon dhe përhap narrativat dhe propagandën e saj egoiste, siç është motoja e saj se Ukraina dhe ish-republikat e tjera sovjetike janë “kukulla në duart e Perëndimit”.

Tani, shtojini kësaj zhgënjimin në rritje në Jugun Global, se zëri dhe shqetësimet e tij injorohen shumë shpesh nga Perëndimi. Ndaj pse këto vende duhet të shqetësohen për Ukrainën, e cila në sytë e tyre nuk ka bërë shumë përpjekje diplomatike për të forcuar lidhjet dypalëshe me botën përtej Perëndimit?

Nuk ka asnjë arsye të pritet që kjo ndjenjë të ndryshojë, vetëm sepse ne mendojmë se ekziston një nevojë urgjente për ta bërë këtë. Tek e fundit, Perëndimit iu desh plot një dekadë për ta kuptuar se politika toleruese ndaj Putinit nuk ishte e mençur.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Ukraina dhe Perëndimi janë të paaftë që të ndryshojnë mendje. Shumë prej këtyre vendeve – si për shembull Kina – janë pragmatike. Pavarësisht se dyshohet se po planifikon të dërgojë armë vdekjeprurëse në Rusi dhe refuzon ta denoncojë agresionin e Moskës, Kina duket se ende nuk dëshiron që ta mbështesë plotësisht Putinin. Rusia mund ta konsiderojë veten një lojtare gjeopolitike serioze, por partnerët kryesorë tregtarë të Pekinit janë ende Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga ana e saj Rusia po luan tashmë një lojë të madhe në Afrikë, nëpërmjet një ofensive diplomatike dhe tregtare dhe nuk ka të ndalur që kur nisi pushtimin e Ukrainës. Ministri i Jashtëm i vendit Sergej Lavrov udhëton shpesh në vendet afrikane për të siguruar mbështetjen e tyre.

Ndërkohë edhe në Amerikën Latine, ku propaganda ruse është e përhapur – pjesërisht për shkak të popullaritetit të rrjetit televiziv në gjuhën spanjolle Actualidad RT – situata është e ngjashme. Për t’iu kundërvënë gjithë kësaj, Perëndimi dhe Ukraina duhet të shtojnë dialogun me këto vende dhe të flasin me ta si partnerë, dhe të mos i trajtojnë vetëm si dëgjues.

Për shembull, turneu i parë afrikan i Ministrit të Jashtëm të Ukrainës Dmitry Kuleba në vitin 2022 – që u ndërpre nga sulmi i parë raketor rus në shkallë të gjerë ndaj Kievit në tetor – tregoi tashmë se kjo qasje mund të japë fryte. Disa nga vendet afrikane që ai vizitoi, e mbështetën më vonë rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që denonconte për aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia.

Megjithatë në dallim nga Rusia, Ukrainës i mungojnë burimet diplomatike, përfshirë praninë fizike të ambasadave, për ta shpjeguar natyrën e luftës dhe historinë që qëndron pas saj. Prandaj pse të mos bashkojmë përpjekjet, me misionet diplomatike perëndimore më të fuqishme që mund të organizojnë konferenca në nivel lokal, në të cilat të shpjegohet në çdo cep të botës pse është e rëndësishme që t’i rezistohet dhe të ndalet agresioni rus?

Dhe në aktivitete të tilla nuk duhet të flitet vetëm për Ukrainën, Evropën dhe “problemet perëndimore”. Përkundrazi, ato duhet të përfshijnë gjithashtu diskutime rreth sfidave me të cilat përballen vendet e tjera, duke u siguruar që nisma si gjykata speciale e propozuar të mos shihen si “privilegj i veriut të pasur”, siç deklaroi së fundmi një ekspert gjerman.

Ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsia, deklaroi me të drejtë se arsyeja kryesore se përse vendet e tjera e shohin ndryshe luftën e Rusisë në Ukrainë, është se në botë ka aktualisht shumë konflikte – që me shumë gjasa nisin kur kombet zihen për burimet bazë – dhe ata pyesin se përse luftërat e tyre konsiderohen si më pak të rëndësishme.

Prandaj, pse të mos nxirret në pah dëmi mjedisor që po shkakton lufta e Rusisë, dhe si ndikon ai në vendet e tjera të planetit? Ose pse të mos diskutohet se si gjykata speciale mund të kopjohet si shembull, duke u përdorur më vonë për të ndëshkuar fajtorët në pjesë të tjera të botës që deri më sot i kanë shpëtuar juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale? Sepse edhe nëse i jepet drita jeshile gjykatës speciale, nëse Perëndimi nuk arrin që të ketë një dialog të sinqertë dhe të gjerë me vendet joperëndimore, atëherë kjo do të jetë një fitore e pamjaftueshme. Diktatorët dhe diktaturat, agresioni dhe dhuna duhet të denoncohen kudo që ndodhin, qoftë në Evropë apo në Jugun Global. /albeu.com

Shënim:Lesia Dubenko, analiste dhe gazetare me banim në Ukrainë. Kolumniste për Financial Times, New Eastern Europe, European Pravda, Atlantic Council dhe Kyiv Post.


Shtuar 8.03.2023 12:33

Tags: