Aksioni i SPAK/ Mes të arrestuarve edhe biznesmeni Arben Dervishaj, në kërkim Mirel Mërtiri

Të tjera detaje dalin nga aksioni i SPAK për inceneratorin e Fierit. Mësohet se një prej 5 personave të arrestuar është dhe biznesmeni Arben Dervishaj, zëvendëskryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Po ashtu Dervishaj është edhe zëvendëspresident i dytë i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF.

Urdhër arrest mësohet së është lëshuar edhe për biznesmenin, Mirel Mërtirin, por ky i fundit nuk është arrrestuar ende.

Deri tani për aferën e inceneratorëve kanë rënë në pranga ish-zyrtarë të lartë si ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako.  Ndaj Kokës janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë eurosh për ndërtimin e 2 inceneratorëve.

Së fundi, Bllako u rikthye në qeli, pasi SPAK ka ankimuar vendimin për lirimin e tij, duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Bllako ishte lënë në masën “arrest shtëpie” për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Fierit vetëm 6 muaj pasi u burgos. Masa e sigurisë për Bllakon u ndryshua pas pretendimeve se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit./albeu.com