“Skandal i rëndë”, Zhupa: Koha të flisni zyrtarisht për leksionet antishqiptare të drejtuesit të koncesionit të Butrintit

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka dërguarditën e sotme një kërkesë institucioneve të albanologjisë në lidhje me çështjen e Butrintit. Zhupa kërkon informacion dhe përgjigje në lidhje me qëndrimet e mbajtura të Richard Hodges për Butrintin.

Deklarata e plotë e Ina Zhupës

Është koha që institucionet shkencore të vendit të flasin zyrtarisht dhe publikisht për leksionet antishqiptare që Richard Hodges, drejtues i koncensionit të Butrintit, mban nëpër universitete dhe shkruan në “artikuj shkencorë”.

Si deputete dhe qytetare e këtij vendi ju kam dërguar kërkesë zyrtare 3 institucioneve, të Albanologjisë, së Historisë dhe të Arkeologjisë. Gjykoj se është e drejtë dhe detyrim i instituteve shkencore shqiptare që t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave të Richard Hodges që kërkojnë të mohojnë, fyejnë dhe injorojnë historinë, vlerat dhe trashëgiminë e popullit shqiptar.

Kjo edhe në respekt të punës profesionale të historianëve dhe arkeologëve shqiptarë ndër vite, për të përmendur disa prej akademikëve të shquar, por pa nënvlerësuar rolin dhe kontributin e kujtdo tjetër, si Eqerem Cabej, Aleks Buda, Hasan Ceka, Selim Islami, Hena Spahiu, Neritan Ceka, Etleva Nallbani etj.

Qëndrimet anti-shqiptare të mbajtura nga Richard Hodges janë mjaft shqetësuese, pasi ato vënë në dyshim prejardhjen e popullit tonë, ekzistencën e shtetit shqiptar, historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.

Kur këto deklarata bëhen nga një person, i ngarkuar dhe i paguar për detyrën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, të mishëruar si s’ka më mirë në Parkun Kombëtar të Butrintit, përbëjnë një skandal të rëndë që meriton përgjigje të menjëhershme nga institucionet shqiptare, vecanërisht institutet me dije dhe ekspertizë të posacme në fushën e historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë.

Në këtë kuadër, në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 8 dhe nenit 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, mbajtjen e një qëndrimi zyrtar me shkrim lidhur me:

(I) bazueshmërinë shkencore të deklarimeve të Z. Hodges;
(II) përshtatshmërinë profesionale të këtij personi për mbajtjen e detyrës së anëtarit të Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit;
(III) rekomandimet tuaja lidhur me reagimin institucional që duhet të mbajë Ministria e Kulturës, Kuvendi i Shqipërisë etj. ndaj këtyre deklaratave.

Është koha që këto institucione të reagojnë dhe të mbajë qëndrim zyrtar ndaj këtyre deklaratave./albeu.com


Shtuar 2.08.2022 13:25