Situatë alarmante në Itali, Serie A rrezikon të rifillojë në qershor

Situata për shkak të koronavirusit në Itali është alarmante, me shifra që tashmë kanë lënë prapa edhe Kinën.

Italia ishte vendi i parë evropian që e pezulloi kampionatin në Serie A dhe eventet e tjera sportive pas rritjes së numrit të rasteve të infektuar me koronavirus, përderisa Italia mbetet vendi evropian më i prekur nga kjo pandemi.

Deri më sot, 54,578 raste me koronavirus janë identifikuar në Itali, ndërsa plot 4825 njerëz kanë vdekur shkaku i këtij virusi. Këto shifra u rritën dukshëm sot dhe ekspertët kanë paralajmëruar se ende nuk është arritur kulmi i këtij virusi, përkundër masa parandaluese që janë vendosur.

Kjo bën që plani fillestar që Serie A të kthehet më 2 maj dhe të përfundohet më 30 qershor të ketë shumë pak gjasa të realizohet.

Sipas gazetës italiane La Repubblica, plani që po diskutohet mes klubeve të Serisë A dhe presidentit është që kampionati të rinisë në qershor e pastaj të vazhdohet deri më 30 korrik.

Megjithatë, kjo do ta shkaktonte një situatë mjaft të komplikuar, pasi që lojtarëve që kanë kontratë vetëm deri në këtë vit u skadon kontrata më 30 qershor dhe ata do të duhej të luanin për një klub ku s’janë më të punësuar.


Shtuar 21.03.2020 19:28