Starton sot Botërori “Katar 2022”, kjo është ndeshja hapëse

Sot në orën 17:00 do të marrë jetë ndoshta Botërori më atipik ndonjëherë. Edicioni i 22- të, që ndryshe nga zakonisht nuk do të zhvillohet në verë, do të startojë si zakonisht me ndeshjen e vendit organizator.

Kështu, Katari do të presë Ekuadorin në stadiumin “Al Bait”, një stadium me një kapacitet prej 60 mijë personash, ku të dyja skuadrat synojnë ta nisin si duhet këtë turne, duke marrë parasysh edhe rivalët aspak komodë që i presin në vazhdim.

Ekipet e tjera të Grupit A janë Holanda dhe Senegali, dukshëm të dyja favorite për fazën tjetër, ndaj tri pikët e para do të kenë një ndikim të rëndësishëm si në vazhdimësinë e Katarit, ashtu edhe në atë të Ekuadorit.

Ai që do të vendosë drejtësi në ndeshjen hapëse do të jetë italiani Daniele Orsato, një nga arbitrat më me eksperiencë të turneut. Por përveç 90 minutave në fushë, spektakël pritet para dhe gjatë ndeshjes, e pse jo edhe pas saj.

Ceremonia hapëse e organizuar nga FIFA do t’i paraprijë sfidës, ndërkohë që shkallët e stadiumit priten të jenë të tejmbushura, të paktën për sfidën e parë dhe të vetme të së dielës.


Shtuar 20.11.2022 11:18