Pse nuk duhet t’i uroni askujt të keqen

Kur na bëhet një padrejtësi, kur dikush sillet shumë keq me ne, duam që të vendoset drejtësia:me sjellje të mira apo të këqija qofshin. Dhe kur gabimi nuk korrigjohet, nga brenda na lind instinkti i magjistarit, që dërgon drejt tjetrit disa mendime të këqija, të kompletuara me një “faturë”, gjë që të kujton një thënie të vjetër popullore: “Çdo gjë që bëni ju kthehet mbrapsht 3-fish:3 herë për të mirë, dhe 3 herë për keq”.

Rreziku i kalimit nga e drejta tek e gabuara

Megjithatë, kjo thënie e lashtë shërben për të na mbrojtur nga dëshira për t’u hakmarrë, për të vënë vetë në vend drejtësinë. Sepse e vërteta është se për të bërë drejtësi, nevojitet një gjykim i kthjellët, gjë që shpeshherë është një cilësi që na mungon.

Arsyeja jonë mund të errësohet nga inati ose zilia, ndaj rrezikojmë të kalojmë nga ana e arsyes në anën e të gabuarës. Pra atë që janë të verbuar nga etja për hakmarrje, nuk do të ndjekin drejtësinë, por thjesht do të duan t’i urojnë tjetrit të keqen.

Për këtë arsye, në rast mosmarrëveshjeje është gjithmonë e nevojshme ndërhyrja e dikujt që është mbi palët. Po çfarë e shtyn një person të sillet keq, apo të dëmtojë një person tjetër? Në parim, mund të thuhet se ligësia ka dy ‘prindër’:injorancën dhe vuajtjen.

Injoranca
Në librin e tij “Shkenca e së keqes: Empatia dhe origjina e mizorisë” , Simon Baron-Cohen, Profesor i Psikopatologjisë Zhvillimore në Departamentin e Psikiatrisë dhe Psikologjisë Eksperimentale në Universitetin e Kembrixhit, thotë se mizoria lind aty ku nuk ka empati dhe për rrjedhojë tek njerëzit që nuk janë në gjendje të kuptojnë plotësisht gjendjen shpirtërore të të tjerëve, apo për të ndjerë dhimbjen e tyre.

Kjo mungesë ndjeshmërie, kjo shpërfillje e ndjenjës së tjetrit çon në akte ligësie: të mos ndjerit e dhimbjes së tjetrit, apo të mos-folurit me eupati, ju pengon të kuptoni seriozitetin e veprimeve tuaja, sepse ju nuk e ndjeni ndaj nuk është pjesë e botës tuaj.

Por empatia është ndoshta ajo që na bën vërtet njerëz në kuptimin më fisnik të fjalës. Ajo është si një derë që hapet për në botën e të tjerëve. Është ajo që na lejon të ecim në gjurmët e tyre, t’i kuptojmë në thellësi, t’u ‘prekim’ zemrën. Cilido që nuk njeh ndjeshmërinë është një person i vetmuar:i vetmuar në botë dhe në botën e tij.

Nëse do të ishim makina nuk do të kishte asnjë ndryshim. Por ne jemi njerëz prej mishi e gjaku, të përbërë nga emocione, ëndrra, shpresa, të cilët kanë nevojë për një kontakt të vërtetë njerëzor. Dhe nëse njerëzit që dëmtojnë të tjerët nuk arrijnë të kenë këtë kontakt, ata nuk arrijnë të prekin një zemër apo një shpirt të gjallë, janë më fatkeqit:ata janë si qeniet e fjetura dhe të burgosura të maktheve të tyre, që askush nuk do t’i zgjojë kurrë.

Vuajtja
Shumë veprojnë në mënyrë negative për shkak të frikës:frikës se mos humbasin diçka me vlerë, apo se mos pësojnë diçka të keqe ose të dhimbshme, e cila do të prishte ekuilibrin e tyre të brendshëm. Kjo dinamikë përfaqëson në fakt strukturën e ndëshkimit: një ndëshkim pozitiv, në të cilin situatës fillestare i shtohet diçka e padëshiruar; një dënim negativ në të cilin hiqet një burim i ndjenjës apo i kënaqësisë pozitive.

Prapa disa veprimeve të padrejta, fshihet frika e lashtë nga ndëshkimi dhe vuajtja që rrjedh prej tij. Ndaj akti i padrejtë i dikujt ndaj nesh, perceptohet në mënyrë absurde, si një përpjekje për të mos vuajtur ndonjë dënim. Mendja e njeriut është shumë e ndërlikuar dhe e paqartë: me shpresën e shmangies së dëmtimin (shpeshherë vetëm pjellë e imagjinatës) një person është në gjendje t’i shkaktojë një dëm të vërtetë njerëzve të tjerë.

Ç’mund të bëni nëse dikush ju bën të vuani

Para së gjithash, në rastet kur dikush është sjellë keq me ju, bëni që të dëgjohen arsyet tuaja. Mos heshtni asnjëherë përballë një gabimi. Kjo do t’ju ndihmojë fillimisht të parandaloni formimin e një “flluske” inati që mund t’ju prishë gjumin netëve, sepse siç dihet gjithmonë para gjumit njerëzit mendojnë se çfarë do të kishin dashur t’i thoshin dikujt.

Pastaj, ju sugjerojmë që të bëni një hap prapa, dhe ta shihni situatën nga një këndvështrim më i gjerë. Pra t’i vëzhgoni faktet në një mënyrë më objektive, të kuptoni më mirë se si funksionojnë qeniet njerëzore. Por mbi të gjitha do t’ju ndihmojë të zhvilloni aq shumë përvojë që ju mjafton të njihnin qasjen e gabuar përpara se të pësoni ndonjë dëm.

Ndaj bëni një hap pas, dhe përpiquni të kuptoni arsyet që e shtynë tjetrin të sillet kështu me ju. Kjo s’do të thotë se duhet ta fshini nga kujtesa atë që ju bëri, por thjesht ju lejon të shihni në një kontekst veprimet e tij. Si një person empatik, po e përdorni si mjet në favorin tuaj atë që zakonisht ju bën të ndiheni keq. Tani mund ta përdorni ndjeshmërinë tuaj, për ta parë atë person si qenie njerëzore me të metat, frikën, vuajtjet e tij, dhe jo më si një armik. Prandaj s’ka nevojë t’i urosh dikujt të keqen:cilido që të ka lënduar, është ngatërruar vetë në telashe. / eticamente – bota.al