EMRI/ E rëndë në Itali, shqiptari vret të bijën 16-vjeçare, plagos një italian dhe ish-gruan

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një shqiptar ka vrarë të bijën 16-vjeçare dhe një shtetas Italian 51-vjeçar.

Bëhet fjalë për një 45-vjeçar shqiptar, Taulant Malaj, bukëpjekës, i cili tashmë është ndaluar nga karabinierët.

Sipas një rikonstruksioni fillestar, 16-vjeçarja u godit me thikë pasi ndërhyri për të mbrojtur nënën e saj nga agresioni i babait të saj, i cili donte ta vriste. Në momentet e ngjarjes u plagos edhe bashkëshortja e vrasësit të dyshuar, e cila tashmë ndodhet në spitalin e Foggia.

Nga hetimet e para, motivi i krimit mund të gjurmohet në një lidhje të dyshuar mes 51-vjeçarit dhe gruas së vrasësit.

Krimi ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit dhe sipas asaj që mësojmë burri është goditur me thikë në shkallët e pallatit ku ndodhej. Më pas, vrasësi i dyshuar hyri në shtëpi me qëllim që të vriste gruan e tij, por 16-vjeçarja ndërhyri për të mbrojtur nënën e saj dhe u vra. Gruaja ka arritur të arratiset dhe të lajmërojë policinë.

Kur policët mbërritën në vendngjarje, ata bllokuan 45-vjeçarin, i cili sipas hetuesve po endej në zonë në kërkim të djalit tjetër pesëvjeçar me të njëjtën grua. Është gjetur arma e vrasjes, një thikë kuzhine. Pesëvjeçari iu besua përkohësisht dajave të tij.

 


Shtuar 7.05.2023 12:17