Tentoi të kalonte me “Benz” kokainë dhe kanabis jashtë kufirit, arrestohet 35-vjeçari në Morinë

Policia kufitare e Morinës ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili ka tentuar të kalonte kufirin, me një automjet në të cilin kishte fshehur 52 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 7 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të kalonte kufirin, me një automjet në të cilin kishte fshehur lëndë narkotike, vihet në pranga 35-vjeçari.

Sekuestrohen 52 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 7 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe automjeti që drejtonte 35-vjeçari.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin H. R.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 52 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 7 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin H. R, 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 15.04.2023 10:26