Ekskluzive/ Nga Thethi në Hollivud, Praq Rado një yll në ngritje (FOTO LAJM)

Aktor lind apo bëhesh? Secili prej nesh do të përgjigjej në forma të ndryshme, por në rastin konkret, ku protagonist është Praq Rado, duket se çdo gjë ka qënë që në gjenezë. Në një intervistë ekskluzive për Portalin "Albeu", një emër i njohur për kinematografinë, Praq Rado, na ka shuar kureshtjen në lidhje me projektet e tij, ndërsa realizimi i një ëndrre të madhe është një pjesë tjetër e medaljes.

Ndonëse me vite është në emigrim, ai nuk ka haruar gjuhën e bukur shqipe, ku flet për mallin që ndjen për vendin. Me një gjuhë të shpenguar, kur tek-tuk gjen ndonjë gabim, ai e kalon me mjaft sportivitet, ndërsa na bën të kujtojmë se përtej distancës, ai është me mish e shpirt këtu.

Personazhi i sotëm është një nga emigrantët e shumtë shqiptarë në Amerikë, të cilët morën rrugën për një jetë më të mirë, aty ku ëndrrat bëheshin realitet. Ai tashmë është si një yll në gritje, por di të qëndrojë me këmbë në tokë, duke menaxhuar atë që i është dashur me mund e djersë ta realizojë për një kohë të gjatë.

Ai tashmë ka ngritur "perandorinë" e tij, ndërsa teksa kthejmë kokën pas, gjithçka është realizuar falë përpjekjeve të vazhdueshme. Praq Rado e ka kaluar fëmijërinë në Theth, ndërsa fati e ka vënë shpesh përballë sfidave. Ai është rritur në vendin më të izoluar në Shqipëri. Familja e tij ishin te izoluar, sepse ata qëndruan kundër regjimit diktatorial. Por nga mesi i viteve 1990, qeveria komuniste u shemb dhe ai gjeti mundësinë për të emigruar.

Praq punonte ditën dhe natën studjonte për anglisht. Për një vit ai mësoi gjuhen dhe mbaroi shkollën e mesme me korispodenc. Me pas Rado u regjistrua në Westchester Community College për radiologjike të teknologjisë dhe ndërsa ai ishte duke studiuar për degen profesionale të tij, një nga profesorët e tij i dha shtysë të marrte pjese në një audicion për shfaqje të shkollës.

Ai ishte projekti i parë ku Praq zbuloi dashurine e tij të teatrit. Pas Westchester ai vazhdoi studimet e tij në HB Studio në New York City dhe filloi karrierën e tij profesionale me rolet kryesore te disa filma si “Village of Paradise Growth”, “Leaving My Country”, “Let Us Reveal” dhe një film tjetër me emër “Englishman in New York”. Dy regjizorët me famë, Lee Percy dhe Barbet Schroeder, u interesuan në historinë e jetës së Praq Rado dhe i lindi ideja për të bazuar filmin “Dreaming American” në jetën e vërtetë të tij.

-Praq, ka kohë që ti merresh me aktrim. Ne e dimë se është shumë e vështirë të ecësh në këtë fushë. Ju si po ndiheni ndërsa jeni pjesë e kësaj bote të madhe të filmit?

"Unë ndihem me shumë fat dhe falenderoj regjisorin e filmit "Dreaming American" Lee Percy dhe producentit Barbet Schroeder që ka qënë i nominuar me "Reversal of Fortune", që bën një film "Dreaming American Film" për jetën time. Me të vërtetë është një biznes shumë i vështirë. Shumë njerëz e fillojnë dhe e lënë këtë punë, pasi është shumë e vështirë. Rreth këtyre viteve u largova në Amerikë ku fillova të shkoja në shkollë, po nuk i kisha dokumentat dhe ishte shumë vështirë dhe e lash shkollën. 10 vjet shkuan dhe akoma pa dokumenta në Amerikë".

-Si u bë depërtimi yt në botën më të madhe të kinematografisë botërore?

"Unë kam shkruajtur jetën time në një film të shkurtër. Jam takuar me shumë studenta, regjizora që ta bëjë këtë film (metrazhe të shkurtër), po shume njerëz më kanë thënë jo. Në këtë rrugë që kam vazhduar, duhet të kesh një lekurë shumë të fortë. Unë vazhdova të besuari në projektet që kisha. Nje vit kaloj që kisha shkruajtur skenarin dhe akoma s'kisha takuar asnjë njeri që kishte interes për këtë projekt. Një natë isha duke shërbyer në një mbrëmje për filmin (Salt) me Angelina Jolie. Dhe editori i filmit Lee Percy ishte aty, dhe njerëzit po e pyesnin për filmin. Gjatë shërbimit bëra një kërkim në Google për Lee Percy në IMDB ku pash të gjitha filmat që kishte. Ne fund u prezantova me të dhe i thash se jam aktor dhe kam një projekt që e kam shkruajtur. Percy më dha emailin e tij. Kaluan dy javë dhe nuk morra as një përgjigje. Unë isha mësuar që mos të më kthenin përgjigje pas dhe nuk më bëri përshtypje. Pas plot 18 ditë, unë mora një email
nga Percy, ku i kishte pëlqyer shume skenari dhe deshironte të me takonte për një kafe".

-Përmes filmit “Dreaming American”, ju arritët në njëfarë mënyre të prekni edhe ëndrrën e një artisti. Tani çfarë pretendoni?

"Po, "Dreaming American" është një film i bazuar në jetën time, që është redaktuar nga producenti me famë, Lee Percy dhe Barbet Schroeder. Filmi ka pasur shumë suksese në Amerikë dhe tani Percy ka përfunduar skenarin për ta bërë metrazh të gjatë".

-Sa ia keni dale që jetën tuaj ta paraqisni në filmin “Dreaming American”, dhe përjetimet nga jeta juaj t’i sillni përmes filmimit nga kamerat?

"Po them 80% është jeta ime në film. Po shumica e filmave që bëjnë pjesë për jetën e dikujt, producentët bëjnë pak ndryshime".

-Po kush është Praq Rado?

"Unë jam lindur e rritur në një fshat shumë të vogël, në Theth, në Shqiperi. Prindërit janë Marie e Nikoll Radoina. Kam dy motra dhe tre vëllezër. Kam ikur nga Shqiperia që në moshën 16 vjeçare krejt i vetëm dhe tani jetoj në Amerikë".

-Çfarë e veçon jetën tënde nga ajo e aktorëve hollivudian?

"Shumë gjëra. Unë kam vuajtur shumë të mbërrija këtu dhe vuajtjet të bëjnë një njeri të fortë. Një nga vuajtjet më të vështira ishte kur të dy prindërit më vdiqën, babai në 2009 dhe mami në 2011. Humbja e prindërve të mi ishte një nga vuajtjet më të vështira për mua dhe akoma s'më besohet që nuk janë këtu".

-Po lidhja me Shqipërinë ku mbeti?

"Jam i lidhur me vendin tim dhe me merr malli shumë. Shqiptarët rreth botes më kanë pritur shumë dhe mbështetur gjate karrierës sime".

-A ekziston mundësia që në një të ardhme t’iu shohim të luani në një projekt shqiptar?

"Po ku i dihet se çfarë sjell jeta. Kam shumë dëshire të marr pjesë në ndonjë film ose reklamë për Shqipërinë".

-Fama besoj ka edhe privilegjet e saj. Madje edhe kur bëhet fjalë për femrat... ndjeheni i pëlqyer nga këto të fundit?

"Po kjo është e vërtetë. Po kur vuan sa kam vuajtur unë, mëndjen e ke për projekte të tjera. Fama vjen shumë shpejtë dhe shkon shumë shpejtë".

-Çfarë çmoni më shumë nga jeta?

"Vëllain e vogel, Rrok Radoina dhe familjen".

-Aktualisht studioni, punoni?

"Po, shkoj në shkollë 5 ditë të javes. Po shkruaj librin tim të ri, që bën fjalë për jetën time që nga mosha e vogël deri tani. Ka për të dalë në të njëjtën kohë me filmin "Dreaming American".

-Po lidhja me Kosovën?

"Kam shumë njerëz që më duan nga Kosova dhe i dua shumë. Mezi pres të vi me "Dreaming American" në Kosovë dhe Shqipëri".

-Diçka për të shtuar në fund?

"Kam dëshirë të falenderoj të gjithë ata që kane besuar në karrierën time dhe fansat e mi kudo që janë, përtej mesazheve. Mezi pres të vi në Shqipëri e në Kosovë me filmat e ri, e të njihem me të gjithë ju". /albeu.com/ Nga: Marsela Sinani
Shtuar më 24/11/2015, ora 17:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori