VIDEO/ Horror në Burrel, burri paguan 37-vjeçarin t’i heqë magjinë gruas, e shpon me kaçavidë për t’i larguar “djallin”

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Burrel. Një 48-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së saj, por historia nuk mbaron me kaq.

48-vjeçari Dario Bruçi, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses, kishte paguar një person nga Kosova, i identifikuar si Kujtim Popaj për ta shëruar, pasi pretendonte se gruas së tij i kishin bërë magji.

Por sikurse duket në pamjet e sjella nga policia e Matit, personi që supozohet se i heq asaj magjinë, e godet atë me kaçavidë në disa pjesë të trupit.

Policia ka proceduar penalisht 36-vjeçarin që vinte nga Kosova, ndërsa 48-vjeçari është vënë në pranga.

Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 380 copë fishekë luftarak.

Çfarë thotë policia

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe mbante armë zjarri apo municion luftarak në banesë, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme është bërë parandalimi i një ngjarje të mundshme kriminale në familje.

Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 48 vjeç, banues në Burrel, ( i dënuar më parë për kanosje dhe kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë).

Nga hetimet e kryera, mbështetur dhe në inteligjencë informative ka rezultuar se 33-vjeçarja, si pasojë e dhunës është dërguar nga familjarët e saj për trajtim mjekësor dhe në spitalin psikiatrik, Tiranë.

Po në vijim te hetimeve të thelluara për këtë rast, ka rezultuar se 48-vjeçari, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses së tij, pretendonte se 33- vjeçares i kishin bërë magji dhe kishte paguar shtetasin K.P., 37 vjeç, banues në Kosovë, i cili vinte në banesën e shtetasit D.B., për të shëruar 33- vjeçaren.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D.B., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 380 fishek, që i posedonte pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/ 

 


Shtuar 5.09.2023 11:56