Nevina dhe Arjola shoqe të ngushta, ikin nga Klani në të njëjtën kohë
Pëlqej
Mund të themi se viti që lamë pas ishte ai më me fat për dy shoqet e ngushta të televizionit, Nevina Shtyllën dhe Arjola Shehun. Në një kohë shumë të shkurtër, imazhet e reja televizive, përveçse u vendosën në “Tv Klan”, patën fatin të bëheshin për tre net partnere e showman-it Ardit Gjebrea në skenën e “Pallatit të Kongreseve”, ku prezantuan festivalin “Kënga Magjike 2017”.

Ndërkohë, publiku zbuloi se Nevina dhe Arjola ishin mikesha jashtë punës, një të vërtetë që e zbuluan gjatë rubrikës “Ka një mesazh për ty”, ku Arditi kishte përgatitur një puntatë me nënat e vajzave. Paralelisht me këtë angazhim të rëndësishëm të vitit në “Klan”, secila prej tyre duket se kishte zënë vend mirë në këtë televizion me emisionet e tyre; Nevina me prezantimin e “Jo vetëm modë” një herë në javë, dhe Arjola përditë në ekran me programin e gatimit me VIPa “Kush vjen për drekë”.

Por, e gjitha kjo ka zgjatur vetëm një vit sezoni televiziv, pasi burime të sigurta kanë thënë për “Panorama Plus”, se as njërën dhe as tjetrën nuk do t’i shohim këtë sezon të ri në programet e tyre. Për “Jo vetëm modë”, ende nuk ka informacion nëse do të vazhdojë si program, ndërsa emisioni “Kush vjen për drekë” është mbyllur, duke qenë se në ekranin e “Klan” shihen shefat e kuzhinës Alfio Rrotani dhe Indrit Cela, të cilët i shohim në programin e ri veror “Bukë, kripë, zemër”.

Ndërkohë që Nevinën e shohim të angazhuar në spektaklin “Maratona e këngës”, Arjola, gjatë ditës së djeshme, postoi një foto në Morinë të Kukësit, ku, me anë të një statusi, njoftonte se ishte gati për ndryshim. Me sa duket, ajo është duke punuar për një projekt të ri televiziv, të cilin po e mban sekret. Para se të fillonin punë në “Klan”, Nevina drejtonte programin “Next” në “Vizion Plus”, ndërsa “Arjola “Tek unë” në “In Tv”. Po ashtu, shumë kureshtje ka ngjallur jeta private e dy vajzave, duke qenë se ato, me fillimin të punës në televizionin e ri, fshinë nga “Instagrami” fotot me të dashurit, me justifikimin se nuk donin që të ngatërronin jetën profesionale me atë private.

NEVINA SHTYLA DHE ARJOLA SHEHU, JETA PAS FAMËS SË SHPEJTË

Eksperiencën e parë si prezantuese e “Kënga Magjike” e shijoi vetëm Arjola, pasi për ish-miss-in Nevina Shtylla, kjo është hera e dytë që prezantonte në krah të Ardit Gjebresë, pikërisht në “Kënga Magjike 2014”. Por kush janë dy vajzat që Ardit Gjebrea i zgjodhi t’i kishte në krah, cila është e shkuara e prezantuesve që fituan famë të menjëhershme?

“Miss Shqipëria 2010”, Nevina Shtylla, para se të bëhej pjesë e “Tv Klan”, si pasuese e Floriana Garos në programin “Jo vetëm modë” , ishte drejtuesja e programit “Next” në “Vizion Plus”. 2017-n, mund ta konsiderojmë vitin e saj me fat, pasi ishte protagoniste kryesore në filmin “Ti mund të më quash Xhon”. Ishte pikërisht ky film, që e bëri pjesë të mediave me intervista të ndryshme, pasi foli për tabutë në kinema, një prej të cilave është “puthja”.

nevina1

Gjithsesi, sot, vajza nga Korça nuk mund ta fshehë faktin që kurora e më të bukurës të Shqipërisë në vitin 2010, ishte trampolina për suksesin e saj në vazhdim. Zbulimi më i ri i saj ishte aktrimi, një eksperiencë që i ka ndryshuar rrjedhën e jetës dhe i ka hapur shumë dyer. Pjesëmarrja në filmin “Ti mund të më quash Xhon”, ku luante rolin e Lornës, një adoleshenteje me probleme, ishte një thyerje tabuje nga ana e saj, pasi pranoi skenat erotike në film.

“Ishte një rol që përfshinte skena, si për shembull, puthjet, që çuditërisht ende quhen tabu për shqiptarët. Shpesh kam marrë komente të tipit: Nuk e kishin problem prindërit e tu këtë? Dhe përgjigjja ime ka qenë gjithnjë e njëjtë: Ndoshta prindërit e mi janë më me këmbë në tokë, madje më shumë sesa shumë të rinj në kohën e sotme. Puthja në kinematografi është diçka shumë e zakonshme dhe ata e kuptojnë shumë mirë këtë. Sikurse e dinë se edhe në realitet, puthja nuk është diçka e ndaluar”, u shpreh ajo në një nga intervistat e saj. Sa për karrierën në televizion, ajo u shpreh se ndihet në vendin e duhur dhe të dëshiruar.

“Moderimi ka qenë dashuria ime e parë, nga e cila ende nuk jam gati të ndahem, përkundrazi, uroj të hedh hapa të tjerë me përgjegjësi edhe më të mëdha”, deklaroi ajo. Ndërsa Arjola Shehu, para dy vitesh, tërhoqi vëmendjen me intervistat e saj në programin “Tek Unë” në “In Tv”, para se ta shihnim në “Kush vjen për drekë”, ku ftonte në kuzhinën e saj dy personazhe të njohur çdo ditë, të cilët gatuanin pjatat e tyre të preferuara. Po si hyri Arjola në botën e televizionit?

Para tre vitesh u shfaq si imazh i një kompanie celulare, duke u bërë dhe pjesë e televizionit për të rinj. E kemi parë në fillim si vajza që jepte lajmet e showbiz-it, në rubrikën e saj “Life Stories” dhe më pas te emisioni “Tek unë”. Në divanin e saj, ajo ka ulur shumë personazhe të rëndësishëm të ekranit, nga figura të showbiz-it, artit dhe politikës. Nga intervistat që ka veçuar gjatë emisionit “Tek unë”, ishte ajo me Kryeministrin Edi Rama.

“Për popullaritetin që më solli, për emocionet që fitova, por edhe për vështirësinë e saj, pa dyshim që do të ishte më e veçanta intervista me Kryeministrin e Shqipërisë”, është shprehur ajo. Ndërsa sezonin e kaluar ishin pikërisht vëllezërit Pandi dhe Bledi Laço, të cilët i propozuan që ajo të drejtonte emisionin më të ri në këtë televizion “Kush vjen për drekë”. “Në fakt, nuk është fusha ime gatimi. Madje, nuk ia them fare, megjithatë kjo e bën edhe me interesante, me situatat komike që krijohen në emision.

“Tv Klan” më ka pritur shumë mirë, më ka lënë hapësirën, për të cilën unë kam nevojë dhe jam përshtatur shumë shpejt në këtë televizion”, u shpreh ajo në një nga intervistat e saj pasi filloi punë. Pyetjeve për pamjen, Arjola u përgjigjet: “Nuk hyj në grupin e vajzave që e kaloj ditën në qendrat estetike. Përpiqem, kur kam mundësi, të kujdesem për veten, por rutina ime është: Një krem hidratues dhe zero make up”.

Por, duket se puna në televizion e ka ndryshuar Arjolën, pasi në një postim në “Instatory”, ajo ka shkuar deri në Prishtinë për të ndryshuar ngjyrën e flokë nga brune në bionde.
Shtuar më 18/08/2018, ora 17:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori