Përmbysja e papritur në kursin e këmbimit, çfarë po ndodh tani në treg

Tregu i brendshëm valuator po përballet me një kërkesë të pashpjegueshme për euro gjatë ditëve të fundit, duke bërë që monedha europiane të forcohet me 2.5 për qind ndaj lekut vetëm në një javë.

Pas një periudhe të gjatë zhvlerësimi të vazhdueshëm, tendenca e kursit të këmbimit euro lek është përmbysur papritmas menjëherë pas dites se zgjedhjeve. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se këtë të mërkurë një euro po kuotohet mesatarisht me 113.43 lekë kur të premten tregtohej me 110.63 lekë.

Agjencitë e këmbimit valuator shpjegojnë se forcimi i euros me 2.5 për qind ndaj lekut në vetëm tre ditë po diktohet nga rritja e fortë e kërkesës për euro. Por askush nuk e ka të qartë se nga po buron kjo kërkesë.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se lëvizjet në kursin e këmbimit euro-lek po diktohen edhe nga faktorë psikologjikë. Sipas tyre, shumë biznese kishin shtyrë kërkesën për euro duke pritur rënien e mëtejshme të saj. Dhe tani që euro po forochet të gjithë po vrapojnë të mbyllin blerjen e eurove nga frika se mos forcohet më tej.

Arsyet përtej zyrtareve

Zarfet me euro të shpërndara për blerjen e votave gjatë fushatës elektorale me sa duket mbaruan. Ata që i morën i konvertuan menjëherë në treg duke bërë që gjatë fushatës euro të dobësohej me shpejtësi. Por tashmë që nuk ka më euro nëpër duart e popullatës, tendenca është përmbysur.

Rënia e ofertës e shoqëruar me rritjen e kërkesës nga bizneset që mund të kenë shtyrë blerjet në import për shkak të zgjedhjeve, e ka futur tregun e këmbimit valuator në një kurs tjetër. Tani të gjithë duan euro dhe ata që mund ta ofrojnë me sa duket janë të paktë. Kjo po çon në rritjen e ndjeshme të euros derisa kursi të stabilizohet në një nivel të ri. /Oligarkia.al


Shtuar 17.05.2023 13:47