Sajonte probleme për t’i rrëmbyer zemrën? Dyshja e njohur ndan sekretet e martesës

Sokol dhe Jorida Marsi këtë të martë ishin në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin për të ndarë me ne përditshmërinë dhe historinë e tyre të dashurisë. Gjatë rrëfimit të tyre treguan se Sokoli gjithmonë nxirrte ndonjë problem për ta shtyrë në kohë përfundimin e këngës që Jori kishte kërkuar në studion ku punonte ai.

“Ishte dhe kohë tjetër faktikisht, ishte kohë e gjeneratorit atëherë. Por që kishte dhe doza të tilla për të përfituar kohë. Sigurisht që atëherë ishim në kushte të tjera. Unë punoja në një studio private dhe jo çdo gjë ishte në dorë time për të përfituar sa më shumë kohë. Por unë e menaxhoja kohën sa më shumë që të përfitoja të rrija sa më shumë më Joridën dhe të flisnin, pastaj u bë paksa e zakonshme se Jori filloi të sillte edhe shoqet e saj”.

Sa vështirë has një çift kur janë brenda fushës së artit?

“Ne e kemi bazuar lidhjen tonë shumë në punë, por dhe në biseda shumë të gjata. Ne akoma kemi atë orarin tonë që ulemi dhe bisedojmë e diskutojmë për çfarëdolloj gjëje, përditshmërinë, djalin. Dhe kjo unë mendoj se është lidhja më e fortë që mund të kenë dy njerëz”, tha Jori.

Ndërkohë, Sokoli shtoi se Jori është personi që i dëgjon materialet e tij dhe i jep një mendim më të mirë për shkak të profesionit dhe profilit që ajo ka. 90% e shfaqjeve ku Jorida është protagoniste, është muzika e tij, ndërkohë që edhe voice over-at janë të lexuara nga bashkëshortja e tij.

Por do të ketë një kthim në Festivalin e Këngës të Sokol Marsit? A ka një tërheqje të Sokolit nga Festivali i Këngës?

Koli shpjegoi se nuk është tërhequr por për shkak të përgjegjësisë në Ansamblin Kombëtar të Valleve dhe Këngëve, ndërkohë që theksoi se do të jetë prezent me arranxhimin e dy këngëve.

A duhet të ndahet dy qasjet Festivali i Këngës dhe Eurovizioni?

“Për mendimin tim po. Ia kam sugjeruar edhe drejtuesve për arsye se të dyja dëmtojnë njëra tjetrën. Gjithmonë në mendimin tim në Eurovizion duhet të shkoj kënga që zgjidhet brenda një 10-ce, të hidhen në televotim siç e bën gjithë bota”.


Shtuar 20.09.2022 18:33