Modelja shqiptare rrëfen dashurinë me aktorin e telenovelave indiane
Prej muajsh tashmë bëri bujë lidhja e modeles shqiptare Ilda Kroni me vëllain e aktorit kryesor të një nga telenovelave më të dashura për gjithë shqiptarët, “Sarasvatichandra”.

Në një intervistë për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, modelja rrëfen prapaskenat e lidhjes së saj të dashurisë me Ashish Kapoor. Ilda na rrëfen se si është të jesh pjesë e një tjetër kulture ndryshe nga e jona dhe se si arrin që të përshtaten me njëri-tjetrin pavarësisht ndryshimeve.

Gjithashtu, ajo nuk ka harruar të veçojë edhe anën romantike të tij dhe planet që kanë për fejesë.

Je një nga modelet bukuroshe të Shqipërisë, e cila zgjodhi të vazhdojë jetën jashtë vendit. Vijon ende në botën e modelingut?

Po, kam një kontratë pune në Indi.

Në një nga intervistat e bëra thatë që dëshironi të jeni pjesë e “Victoria Secret”. A jeni afër realizimit të saj?

Ajo intervistë ka shumë vite. Mund të them që çdo modele e ka ëndërruar në një pikë të karrierës së saj, por nuk i shoh gjërat si më parë.

Keni mbaruar në Shqipëri shkollën e “Grace Models Albania”. Çfarë pasionesh të tjera është duke ndjekur tani Ilda?

Hmm.. Mund të them se pasionet e mia janë të shumta. Gjithmonë përpiqem që të provoj gjëra të reja dhe të zbuloj më shumë rreth botës. Por jam shumë e apasionuar pas gatimit që e vogël. E shoh si një art të veçantë, fotografinë, gjithashtu. Më pëlqen të krijoj histori në fotografi në mënyrën sesi unë i shoh gjërat.

Prej disa muajsh tashmë bëri bujë lidhja juaj me aktorin indian. Si u njohët? Si lindi gjithçka?

Po, me Ashishin jemi njohur në një event nëpërmjet miqve të përbashkët, ku të gjithë darkuam së bashku. Gjatë darkës, mes meje dhe Ashishit kishte një tërheqje interesante. Ai ishte momenti kur gjithçka filloi.

A ju ka propozuar për fejesë? Nëse jo, keni ndonjë plan së shpejti?

Jo s’kam pas propozim, edhe pse është akoma herët. Kur të jetë momenti i duhur, do bëhet ai hap. Unë këshilloj që t’i jepni kohë ta njihni një person se nga ai person varet buzëqeshja jote.

Si e pritën prindërit tuaj lidhjen me aktorin indian? Kishin paragjykime apo mospëlqim?

Prindërit dinin çdo detaj që nga fillimi. Ata gjithmonë më mbështesin dhe besojnë në zgjedhjet e mia. Ashishi që në momentet e para ka folur me ta dhe tani janë shumë të lidhur.

Ju jetoni në Indi apo në Greqi? A keni nisur bashkëjetesën me Ashish Kapoor?

Unë jetoj në Indi, sepse jam me një kontratë pune ndërsa Ashishi më ka pyetur për të bashkëjetuar, por besoj do vijë pak më vonë ky hap.

I keni takuar prindërit e Kapoor? Si ishin ndjesitë e njohjes të një kulture ndryshe nga ajo që jeni rritur?

Po i kam takuar dhe sidomos me mamin e tij kam një lidhje shumë të veçantë. Kultura është shumë ndryshe nga ajo që unë jam rritur, por jam person që më pëlqen të mësoj kultura të reja. Në këtë mënyrë mëson më shumë gjëra të mrekullueshme për botën dhe “rritesh” shpirtërisht.

Në një nga intervistat e mëparshme Kapoor tha që ju dini të gatuani shumë mirë. A ka provuar ndonjë nga gjellët shqiptare? Ka ndonjë të preferuar? (Qesh)

Ashishit i pëlqejnë të gjitha gjellët, por në veçanti pëlqen më shumë gjellën më perime të mbushura, me kimë dhe oriz plus bakllavanë.

Cili është gjesti më romantik që ka bërë për ju Ashish?

Është e vështirë të veçoj një, por një moment që më ka prek më tepër është kur një ditë po kthehesha nga një udhëtim pune dhe erdhi nga aeroporti të më merrte të darkoja te shtëpia e tij me mamin. Kur u futa në shtëpi ishte një pamje e mrekullueshme: një baner që shkruante “Ilda welcome home”, një fotografi super e madhe e jona që mbulonte faqen e murit dhe shtëpia plot me lule dhe drita të bukura. Ai moment ishte shumë prekës, romantik dhe domethënës për mua.

A keni pasur propozime nga fotografë indiane apo edhe shtëpi modelingu në Indi pas lidhjes me Kapoor? Do ju shohim diku së shpejti?

Po, propozimet janë të shumta dhe kam bërë shumë reklama të ndryshme këtu, por për momentin jam duke mësuar gjuhën kështu që do mund të bëj pjesë në projekte më të mëdha, siç ka qenë një për në “Dance with the starts” këtu në Indi.

Kush është xheloz më shumë nga ju të dy? Kush toleron më tepër? Më shumë xheloz?

Besoj që të dy jemi në të nijetin nivel dhe tolerant, gjithashtu.

Cila është shifra më joshëse që ju kanë ofruar për një set fotografik?

Shifrat kanë qenë të ndryshme, por mesa mbaj mend është 5.500 dollar për një “saree catalog “.

A është xheloz Ashish për faktin se jeni një modele dhe ju duhet që shpesh të dilni provokuese në sete fotografike?

Jo nuk është xheloz, thjesht gjithmonë thotë që të zgjedh me kujdes projektin e ardhshëm.

Keni thënë shpesh që ëndrra juaj është të jeni modele e “Victoria’s Secret”. A do pranonte Ashish të pozonit me të brendshme apo edhe nudo?

Kam biseduar me Ashishin dhe ai më mbështet, por për projekte që ia vlejnë dhe me bashkëpunime me profesionistë ku ka art të vërtetë. Jo si sot ku vajzat që duan të bëhen modele bëjnë foto nudo për disa “like” në “Instagram”.

Do të hiqnit dorë nga modelingu nëse do t’jua kërkonte Ashish?

Besoj që ai që të do asnjëherë s’të detyron të heqësh dorë nga ëndrra jote. Ashishi asnjëherë s’do të më kërkonte të hiqja dorë, përkundrazi, ai ndihet krenar për arritjet e mija.
Shtuar më 27/01/2018, ora 16:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori