Ndërtesa pa leje në Tiranë, Balluku i jep investitorit dy opsionet për të mos ia konfiskuar: Parablije ose dhurojë

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka dalë në terren duke nisur menjëherë aksionin për ndërtimet pa leje. Ajo ka shkuar në një pallat 9 katesh në Tiranë që është pa leje, dhe duke qenë se investitori ka shkelur ligjin, ai pallat duhet të konfiskohet nga shteti. Por, Balluku ka dhe dy opsione për investitorin, e para ta para blejë me çmim tregu të indeksuar dhe e dyta ta dhurojë për shtëpi sociale. Nëse investitori nuk zgjedh asnjë prej dy opsioneve, Balluku thekson se prona do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit.

 

“Ndodhemi në Farkë ky është komunikimi i parë publik që ne po bëjmë sa i përket vendimit që u mor me VKM, është një VKM që ka të bëjë më ndërtimet pa leje që do të konfiskohen dhe përdorim në të mirë publikut. Ky është një shembull pse kemi zgjedhur të vijmë në Farkë dhe të zgjedhim këtë ndërtese, simbolikë e shkeljes së ligjit 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa asnjë letër.  Ndërtuesit mund t’i parablejnë katet pa leje  me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re ose mund t’i dhurojnë, që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet. Ndërkohë për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror dhe për rastet kur ndërtuesi nuk pranon opsionet parablerje apo dhuratë që çojnë në ligjërimin e shtesave për arsye sociale, ai ndiqet edhe penalisht sipas ligjit”, tha Balluku.


Shtuar 8.09.2022 15:29