DETAJE/ “Plumbi i artë” arrestoi sot “ushtarin” e Dumanit, cili ishte roli i Gjinit dhe si u përfshi në grupin kriminal

Policia e Durrësit vuri ditën e sotme në pranga Agim Gjinin, anëtar i bandës së Nuredin Dumanit.

49 vjeçari ishte shpallur në kërkim 3 muaj më parë me urdhër të SPAK.

Vënia e tij në pranga u bë me akuzën e vjedhjes me dhunë të Astrit Ademit, në fshatin Marikaj të Vorës, në vitin 2013. Pikërisht kjo ngjatje u zbardh nga dëshmia e Nuredin Dumanit, i cili rrëfeu para hetuesve se organizuan grabitjen në një pikë të grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit. Këtë grabitje, ai tha se e kishte kryer me Talo Çelën dhe Agim Gjinin.

Pronarit të makinës që kishte shkuar si klient tek servisi ata arritën t’i marrin shumën prej 16 mijë eurosh, një telefon me dy karta si dhe 760 mijë leke që i gjetën në bagazhin e makinës.

Gjatë deklarimeve, Dumani tha se ata kishin shkuar për të grabitur një benz 250 të vjedhur, me targa po të vjedhura. Të gjitha sendet që vidhnin sipas të penduarit të drejtësisë i linin tek garazhi i Agim Gjinit.

Pas grabitjes, shkuan tek garazhi i Gjinit dhe ndanë lekët, ku ai mori rreth 4500 euro.

49 vjeçari Agim Gjini është shoqëruar edhe për vrasjen e Elvis Dedaj në vitin 2013.

Me arrestimin e tij, numri i të prangosurve nga operacioni “Golden Bullet” i finalizuar pas dëshmisë Nuredin Dumanit, shkon në 19. Policia dhe SPAK goditën 8 grupe kriminale, ndërsa disa persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.