Presioni rritet mbi yjet e Man United për ta dëshmuar vlerën e tyre

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka mbijetuar për t’u përballur me Tottenhamin të shtunën, pavarësisht spekulimeve të pandërprera për të ardhmen e tij te Manchester Unitedi pas humbjes poshtëruese 5:0 nga Liverpooli.
Por, larg çështjes të punës së trajnerit, krenaria e klubit nga “Old Traffordi” është në rrezik për shkak të koleksionit të shtrenjtë të lojtarëve të klasit botëror të Unitedit, të cilët janë nën presion për t’iu përgjigjur kritikave gjatë javëve të fundit.
Fitorja rekorde e Liverpoolit ishte ndër humbjet më të thella të United në shtëpi gjatë tre vjetëve të Solskjaerit si trajner. Mirëpo, më shqetësues është trendi i humbjeve për “Djajtë e kuq” që janë në një seri negative.
United ka marrë vetëm një pikë nga 12 të fundit të mundshme në Premier League për të rënë tetë pikë nga Chelsea që kryeson në tabelë pas vetëm nëntë xhirove të zhvilluara këtë edicion.
Kjo rënie e United ka bërë që sfida për titullin e kampionit të vendoset midis Chelseat, Liverpoolit dhe Manchester Cityt që janë në një formë fantastike. Madje, tek Unitedi tashmë janë shuar gjasat për titullin e kampionit të Anglisë, i cili mungon prej vitit 2013. Prioriteti i parë i Unitedit është të sigurohet që të mos shkëputen nga beteja për vendin e katërt në tabelë, që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër.
Dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve ka qenë tragjedi për trajnerët e mëparshëm të Unitedit në vitet e fundit, pasi David Moyes dhe Louis van Gaal u shkarkuan.
Në klub, ishin të bindur se ditët kur ekipi luftonte për pozitën e katërt kishin marrë fund kur shpenzuan mbi 150 milionë euro në afatin kalimtar të verës për Cristiano Ronaldon, Jadon Sanchon dhe Raphael Varanen për të forcuar një skuadër që përfundoi në vendin e dytë në kampionat sezonin e shkuar.
Pavarësisht se shënoi gjashtë gola në nëntë ndeshje, prania e Ronaldos padyshim ka pasur një ndikim destabilizues, me mungesën e Edinson Cavanit që tashmë është e dukshme në repartin e sulmit dhe me një rekord të tmerrshëm mbrojtës. Pas 11 ndeshjeve pa gol apo asistim, Sancho nuk arriti as të inkuadrohet nga banka e rezervistëve kundër Liverpoolit, ndërsa Varane ka munguar kohët e fundit për shkak të një dëmtimi në ijë.
Po ashtu, edhe disa nga lojtarët më të besuar të trajnerit Solskjaer, kanë dështuar në ndeshjet e fundit. Kapiteni Harry Maguire dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Luke Shaw, kanë kërkuar publikisht falje për humbjen e formës së tyre qëkur luajtën me Anglinë në finalen e “Euro 2020”.
“Unë mendoj se ne duhet ta shikojmë veten, para së gjithash, në pasqyrë. A po bëjmë gjithçka siç duhet dhe po përgatitemi siç duhet për lojërat në vetvete? Sigurisht që ne kemi taktikat dhe mënyrën se si trajneri dëshiron që ne të luajmë, por mendoj se nganjëherë jemi shumë të dobët përballë kundërshtarit”, pranoi Shaw.

Solskjaer ka luftuar për të arritur ekuilibrin e duhur gjatë gjithë sezonit, edhe pse arsenali i tij sulmues dështoi në javët e para të sezonit. Rënia e Paul Pogbas për të akomoduar Fredin dhe Scott McTominayn si mesfushorë qendrorë nuk ka arritur ta ndalojë rrjedhën e golave ​​të pësuar, me Unitedin që ka mbajtur vetëm një herë portën të paprekur në 21 ndeshje. Pogba është suspenduar për duelin në udhëtim ndaj Tottenhamit pasi u ndëshkua me karton të kuq kundër Liverpoolit për shkak të ndërhyrjes së ashpër ndaj Naby Keitas. Sipas raporteve të mediumeve angleze, ka trazira në zhveshtore të klubit për mospërfilljen e vazhdueshme të Solskjaerit ndaj lojtarëve, si Jesse Lingard dhe Donny van de Beek, pavarësisht paraqitjeve nën nivel të skuadrës. Thirrja më e madhe për Solskjaerin është përpara, në sulm. Heqja e Ronaldos do të ishte një vendim i rrezikshëm siç treguan kritikat nga ish-trajneri Alex Ferguson kur Solskjaer e pushoi portugezin në ndeshjen kundër Evertonit në muajin e kaluar.

“E di që po kritikohemi dhe do të vazhdojmë të kritikohemi. Kritikat i pranoj, por nuk pranoj kur të tjerët mundohen të më këshillojnë se me kënd duhet të luaj. Ne do të luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi”, porositi Solskjaer.


Shtuar 29.10.2021 21:03