Dhëndri i Erdogan mbështet Ukrainën: Nuk do t’i japin kurrë drone Rusisë

Baykar Makina e Turqisë nuk ka furnizuar dhe nuk do t’i furnizojë kurrë produktet e saj Rusisë, pasi ajo mbështet sovranitetin e Ukrainës dhe luftën e saj për pavarësi.

Këtë e ka konfirmuar CEO i Baykar Makina dhe njëkohësisht dhëndri i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, Haluk Bayraktar, në një koment për CNN.

“Turqia dhe Ukraina kanë një nivel strategjik marrëdhëniesh, veçanërisht në fushën e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes. Këto janë vite përpjekjesh. Turqia po mbështet Ukrainën me teknologjinë e dronëve të armatosur. Ne gjithashtu blejmë motorë për dronë nga Ukraina. Ne kemi ndërtuar marrëdhënie me Ukrainën bazuar në një parim fitues, i cili u jep avantazhe të dyja vendeve. Dhe në këtë drejtim, ne e mbështesim qartë Ukrainën”, tha Bayraktar.

Kur u pyet për mundësinë e furnizimit të produkteve Baykar Makina në Rusi, ai tha se kjo nuk do të ndodhte kurrë.

“Ne nuk i kemi dorëzuar apo furnizuar atyre [Rusisë] me asgjë dhe nuk do ta bëjmë kurrë një gjë të tillë. Ne mbështesim Ukrainën, mbështesim sovranitetin e saj, mbështesim rezistencën e saj për pavarësinë e saj,” tha Bayraktar.

Më 27 qershor, Baykar Makina njoftoi transferimin falas të tre dronëve sulmues për Forcat e Armatosura të Ukrainës, për të cilat u mblodhën fonde si pjesë e projektit të Serhiy Prytula “Bayraktar i Popullit”. Për më tepër, Baykar Makina vendosi t’i japë Ukrainës një UAV Bayraktar TB2 falas, për të cilin u mblodhën fonde në Lituani. Fushata për mbledhjen e fondeve për blerjen e një droni Bayraktar për Ukrainën është duke u zhvilluar aktualisht në Poloni./albeu.com