Thyen karantinën, yjet e Juventusit në Prokurori

Respektimi i urdhrave për izolim është kthyer në telashin kryesor të klubeve italiane, pasi shumë lojtarë e kanë të vështirë të zbatojnë rregullin e qëndrimit në një banesë të caktuar.

Këtë e kanë kuptuar edhe te Juventusi, ku po përballen me një denoncim në Prokurori për lojtarët.

Qendra Rajonale Shëndetësore e Torinos ka bërë të ditur se do të denoncojë në Prokurori lojtarët e klubit që nuk kanë zbatuar urdhrin që është dhënë për izolim ndaj tyre për shkak të rasteve pozitive në ekip.

Këtë e kanë bërë për t’u bashkuar me përfaqësueset përkatëse për ndeshjet ndërkombëtare.

“Ka qenë vetë klubi që na sinjalizoi se disa lojtarë ishin larguar nga vendi i izolimit, ndaj ne do të njoftojmë autoritetet përkatëse, pra Prokurorinë, për atë që ka ndodhur”, tha Roberto Testi, drejtori i Departamentit të Parandalimit të Sëmundjeve në Qendrën e Torinos.

Emrat në fjalë janë Bentacur, Cuadrado, Danilo, Dybala dhe Cristiano Ronaldo, të cilët gjatë ditëve të fundit u janë bashkuar përfaqësueseve të tyre.

Megjithatë, një vëmendje të madhe ka pasur edhe për Xhixhi Bufon dhe Merih Demiral, të cilët kanë shkuar të bëjnë izolimin në shtëpitë e tyre dhe jo në “J-Hotel” ku gjendet pjesa tjetër e skuadrës.


Shtuar 7.10.2020 07:48