Zaptuan hapësirat publike, momenti kur policia ua heq “pronarëve” çadrat e shezllonet nga plazhet e Ksamilit (VIDEO)

Policia ka zhvilluar një aksion për lirimin e zonave bregdetare në Ksamil, konkretisht te Pema e Tjatë dhe Tre Ishujt. Janë sekuestruar 550 çadra dhe shezlonge si dhe janë vënë nën hetim një pronare dhe dy administratorë subjektesh.

Njoftimi i policisë:

Policia e Sarandës vijon me kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit.

Procedohen penalisht administratori dhe pronarja e një subjekti, të cilët zunë sërish hapësirën publike, në vendin e quajtur “Pema e Thatë”, duke rivendosur shezlongë dhe çadra të tjera, pa lejen përkatëse.

Procedohet penalisht dhe administratori i një subjekti tjetër, të paregjistruar në organet tatimore, i cili zuri hapësirën publike në plazh, në vendin e quajtur “Ishujt”.

Sekuestrohen 550 çadra dhe shezlongë.

Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit:

-Gj. I., 58 vjeçe (pronare subjekti) dhe K. I., 38 vjeç (administrator subjekti), për veprën penale ““Pushtimi i tokës”;

-A. I., 55 vjeç (administrator subjekti), për veprat penale  “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Shtetasja Gj. I. dhe shtetasi K. I. kanë zënë sërish hapësirën publike, duke rivendosur pa lejen përkatëse shezlongë dhe çadra të tjera, në vendin e quajtur “Pema e Thatë”.

Shtetasi A. I. kishte zënë hapësirën publike duke vendosur pa lejen përkatëse, çadra dhe shezlogë, në vendin e quajtur “Ishujt”. Gjithashtu, ky shtetas nuk e kishte regjistruar subjektin e tij, në organet tatimore.

Shërbimet e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Bashkiake Sarandë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, nga këta shtetas.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 21.07.2022 15:02