Me Benz të blinduar në bulevardin e Kasharit, si u shoqërua Endrit Dokle

Ditën e sotme policia e la të lirë Endrit Doklen, pasi u shoqërua mbrëmjen e djeshme në komisariatin e policisë.

39-vjeçari u shoqërua pasi lëvizte në një automjet së bashku me një të kërkuar për posedim armësh pa leje.

Pasditen e së shtunës Endrit Dokle lëvizte me një Mercedes-Benz S-class të blinduar me targa bullgare në bulevardin “ Migjeni ”, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e mitur.

Mjeti luksoz drejtohej nga Gentian Reçi ndërsa pasagjer në vendin e parë ishte Fatjon Murati, i shpallur në kërkim nga policia prej muajit korrik.

Ai rezultonte bashkëpunëtor i shtetasit Kristjan Gjini i arrestuar gjatë operacionit “Ruger” ku në dy ambiente të marra me qira në një kompleks rezidencial, u zbuluan armë të ndyshme, silenciator, maska dhe radio policie. Në këtë operacion u ndalua edhe një vajzë.

Pas kontrollit, bashkëshortja e Dokles bashkë me fëmijën janë larguar me një taksi, ndërsa ai bashkë me Gentian Reçin u shoqëruan në drejtorinë e policisë, ku pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.

Indrit Dokle u lirua nga burgimi i përjetshëm në janar të vitit 2020 nga gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha dhe sipas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumanit, Ervis Martinaj ishte gati të paguante 500 mijë euro për ta ekzekutuar atë.

Kujtojmë se Endrit Dokle u përfol shumë pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili deklaroi se Ervis Martinaj kishte vënë në dispozicion një shumë prej 500 mijë eurosh për vrasjen e Dokles.