"Më shkatërruan jetën", Meghan flet e lënduar për herë të parë
Dukesha e Sussex, Meghan Markle, zbuloi se para martesës me Princ Harry-n, miqtë e paralajmëruan se tabloidet britanike do t’i shkatërronin jetën.

Në një intervistë për dokumentarin e ITV, “Harry & Meghan: An African Journey, ajo tha se vitin e shkuar s’e kishte patur aspak të lehtë dhe se s’e dinte ç’e priste.

“Kur u njoha me bashkëshortin tim, miqtë e mi ishin shumë të lumtur, sepse isha unë e lumtur. Por miqtë britanikë më thanë: “Jemi të bindur që është njeri shumë i mirë. Por mos u marto me të sepse tabloidet britanike do të të shkatërrojnë jetën,” i tha ajo intervistuesit, Tom Bradby, gjatë intervistës që u transmetua të dielën.

Ajo tha se u ishte përgjigjur miqve me naivitet: “Për çfarë e keni fjalën. S’ka kuptim. Unë s’jam lajm tabloidesh.” Ajo shtoi: “Nuk e kuptoja. Ka qenë goxha e komplikuar.”

Intervista u realizua gjatë udhëtimit të çiftit në Afrikën jugore, kur u njoftua se do të padisnin Mail on Sunday mbi publikimin e paligjshëm të letrës private që Meghan i dërgoi të atit, Thomas.

Në të njëjtën kohë, Harry sulmoi tabloidet britanike, i akuzoi se kishin nisur një fushatë të pamëshirshme mbi Meghan. Edhe Harry po ashtu paditi pronarët e The Sun dhe The Daily Mirror se i kanë hakuar telefonin.

Ai i tha Bradby-t se nuk do të presionohej nga media “për të luajtur të njëjtën lojë që vrau time më.”

Meghan u mbush me lotë teksa fliste për trysninë që ndjeu, sidomos pas lindjes së djalit, Archie: “E përjetova shumë pas kuintave,” tha ajo. “E dija që s’do të ishte e lehtë, por prisja të ishte e drejtë. Dhe këtë pjesë, s’po e përtyp dot.”

E pyetur në do t’i rezistojë trysnisë, ajo tha: “Prej shumë kohësh, i them H – ashtu e quaj – nuk mjafton t’i mbijetosh diçkaje. S’është aty qëllimi i jetës. Duhet të lulëzosh. Duhet të jesh e lumtur.”

Ajo tha se u përpoq vërtet shumë të bënte të vetin mentalitetin e vëngër britanik, por doli në përfundimin se thjesht po dëmtonte veten së brendshmi.

Për sa i përket argumentit të kundërt se kjo fuqi e jashtëzakonshme, privilegji, fama dhe pasuria vinin me jetë publike, ajo tha: “Bie dakord për sa kohë gjërat janë të drejta.” Por. Tha ajo, “kur njerëzit thonë gjëra të pavërteta dhe informohen mbi pavërtetësinë e tyre dhe sërish, kanë të drejtë t’i thonë, nuk mendoj se kjo do t’i dukej e drejtë ndokujt në botë.”

“Dhe kjo s’është jetë publike... është një përbindësh tjteër. Mendoj se bari është më i gjelbër në oborrin e komshiut – s’ia keni idenë – është goxha e vështirë ta vini veten në vendin tim. E di se si supozohet të jetë në sytë e të tjerëve. Është tjetër gjë. S’ka problem. Për fat të mirë, kam djalin dhe bashkëshortin tim.”
Shtuar më 21/10/2019, ora 09:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori