Eurodeputeti bullgar: Shqipëria mund të nisë negociatat e anëtarësimit në BE pa Maqedoninë e Veriut

“Shqipëria nuk ka kaluar në një proces të tillë si në ish-Jugosllavi dhe ne kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me të në të gjitha nivelet. Shqipëria nuk ka asnjë pengesë për të nisur negociatat e anëtarësimit pas shqyrtimit të Komisionit Evropian“.

Kështu iu përgjigj eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev pyetjes së gazetës “Aktualno”, nëse Shqipëria mund të jetë shembull për Maqedoninë e Veriut në marrëdhëniet me Bullgarinë.

I pyetur nëse është një lëvizje logjike që të bëhet ky dallim dhe t’i thuhet Evropës “Le të shkëputet Shqipëria nga paketa si kandidate nga Maqedonia e Veriut”, Kovaçev u përgjigj:

“Kjo është mjaft e qartë. Vetë Edi Rama më tha disa herë “Nuk jemi martuar me Shkupin”. Nëse ata nuk mund të plotësojnë kushtet evropiane për fillimin e negociatave, pse Shqipëria duhet të jetë viktimë dhe të presë diçka, që nuk është faji i tyre dhe nuk u takon atyre? Shqipëria duhet menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të rishikimit të legjislacionit, më së voni deri në fund të vitit, të nisë negociatat aktuale për anëtarësimin në BE. Nëse deri atëherë Maqedonia e Veriut nuk ka guxim të ndryshojë kushtetutën e saj, nuk ka logjikë që Shqipëria të presë diçka që nuk varet nga vetë shteti”, tha eurodeputeti Kovaçev, në intervistën për gazetën bullgare “Aktualno”.