EMRAT/ I bënë atentat 22-vjeçarit, por plumbat i kapën hallën, zbardhet pas tre muajsh ngjarja në Lushnjë: Arrestohet porositësi dhe autori

Policia ka zbardhur pas 3 muajsh një ngjarje të ndodhur në Lushnjë, ku pas të shtënave me armë zjarri mbeti e plagosur 60-vjeçarja Bajame Seneja.

Sipas policisë, zonja në fjalë nuk ka qenë shënjestër e atentatit. Ajo ishte halla e 22-vjeçarit që autori Mariglen Matjani  ka tentuar ta vrasë me porosi të Laert Hasallës , me motiv gjakmarrjen.

Policia ka arrestuar Matjanin dhe Hasallën, ky i fundit është vëllai një personi të vrarë më parë nga babai i 22-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, një tentativë për vrasje, e ndodhur 3 muaj më parë, në fshatin Ballagat.

Finalizohet si rezultat i një hetimi intensiv tremujor, të kryer me metoda speciale, operacioni policor i koduar “Pasoja e padëshiruar”. Vihen në pranga porositësi dhe ekzekutori i tentativës për të vrarë me armë zjarri, për motive gjakmarrjeje, një 22-vjeçar. Nga të shtënat mbeti e plagosur halla e 22-vjeçarit, pasi ndodhej në të njëjtin automjet me këtë shtetas, në momentin e të shtënave.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i një pune hetimore intensive tremujore, të kryer me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pasoja e padëshiruar”.

Si rezultat i provave të siguruara në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur zbardhja e plotë e një tentative për vrasje, e ndodhur më datë 30.03.2023, në fshatin Ballagat, si dhe kapja dhe vënia në pranga e shtetasve M. M., 28 vjeç dhe L. H., 30 vjeç, të dy banues në Ballagat, Lushnjë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi L. H. ka paguar shtetasin M. M., për të vrarë për motive gjakmarrjeje, shtetasin M. H, 22 vjeç (babai i shtetasit M. H. akuzohet për vrasjen e vëllait të shtetasit L. H.) Për të përmbushur porosinë e marrë, shtetasi M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonin shtetasi M. H. dhe halla e tij, shtetasja B. S., 60 vjeçe. Nga të shtënat ka mbetur e dëmtuar në këmbë, 60-vjeçarja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 1.07.2023 11:51