DETAJE/ Jetonte mes luksit, 28-vjeçari shqiptar i arrestuar në Peru pjesë e kartelit ballkanik

Pak ditë pas një operacioni të gjerë në Peru që solli kapjen e një sasie prej 2.3 tonë kokainë, autoritetet peruane janë duke hetuar ende për të zbuluar lidhjen e rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës nga Amerika Latine në drejtim të Evropës.

Ndërsa në pranga përfunduan shqiptari, Kadri Gjoci dhe një biznesmen italian i lidhur me organizatën mafioze “Ndraghetta”, në kërkim është ende edhe një person tjetër. Mediat peruane përmes një dokumentari, kanë zbuluar edhe një rezidencë luksoze në Casuarinas, ku jetonte një nga anëtarët e mafies ndërkombëtare të trafikut të drogës. Në atë godinë që kishte lulishte të mëdha, një pishinë, një palestër dhe komoditete të ndryshme, Policia ishte në kërkim të një subjekti që njihet me pseudonimin “Tyson” për shkak të ngjashmërisë fizike me boksierin e famshëm amerikan.

Sipas Policisë, ai ishte furnizuesi i drogës i organizatës shqiptare dhe italiane që dominon trafikun e paligjshëm të hidroklorurit të kokainës drejt Evropës. Organizata kryesohej nga shqiptar Kadri Gjoci, me origjinë nga Lura dhe i regjistruar në gjendjen civile të Rrëshenit, sipas kartës së tij të identitetit të publikuar nga mediave e Perusë. Ato shkruajnë se 28-vjeçari, Gjoci i përket kartelit ballkanik të kokainës.

Arrestimi i tij ndodhi në një godinë në Surquillo gjatë kësaj jave. Aty pranë, në Miraflores, agjentët arrestuan italianin Pasquale Bifulco, anëtar i mafies së rrezikshme “Ndraghetta”, e famshme për kontrollin e 80% të trafikut të kokainës në Evropë. Pasquale Bifulco ishte një i njohur në Peru, pasi tetë vite më parë ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për dërgimin e një ngarkese kokaine në Itali.

Ato kontakte ishin aq të sakta dhe efektive sa lejuan që dy tonë e gjysmë drogë të çoheshin nga Peruja në portin e Hamburgut në Gjermani. Ajo që trafikantët nuk e dinin ishte se Policia po vëzhgonte këtë ngarkesë. Agjentët e Antidrogës vijojnë hetimet për këtë rast për të identifikuar lidhjet e tjera të kësaj mafie të trafikut të drogës.

OPERACIONI

Operacioni për sekuestrimin e sasisë së madhe të kokainës u kodua “Poseidon”, sepse është vazhdimi i atij të kryer në Máncora, më 29 gusht, ku u arrestuan pesë persona me një sasi prej 448 kilogramë hidroklorur kokaine. Ngarkesat e drogës u nisën nga zona e Alto Huallaga për në kryeqytetin Lima dhe Tumbes për në portin Callao, në mënyrë që të transportohej përmes detit për në Evropë nëpërmjet një kompanie eksporti mallrash.

Pasi hetuesit kuptuan për se organizata kriminale dërgonte ngarkesa të konsiderueshme droge drejt Italisë dhe Hamburgut (Gjermani), ata vazhduan me çmontimin e këtij rrjeti që drejtohej në vend nga italiani Pasquale Bifulco. Mediat vendase bëjnë me dije se sasia prej 2.3 tonë kokainë kishte mbërritur tashmë në Evropë. Krahas Ekuadorit dhe Kolumbisë, trafikantët shqiptarë po përdorin gjithnjë edhe më shumë edhe Perunë, sepse prodhimi i kokainës në vend është rritur dhe ka një furnizim më të madh.


Shtuar 9.09.2022 10:06