Si mund ta mposhtim totalitarizmin rus dhe të rikthejmë paqen në Evropë

Nga Frans Timmermans “The Moscow Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kjo luftë, ashtu si çdo luftë tjetër, do të përfundojë në tryezën e bisedimeve. Por meqë negociatat mund të fillojnë vetëm pasi të jetë rivendosur integriteti territorial i Ukrainës, dhe meqë në një periudhë afatshkurtër nuk pritet një ndryshim i qasjes në Moskë, dëbimi i Rusisë në kufijtë e saj do të duhet të bëhet me mjete ushtarake.

Sa më shpejt që Ukraina të gjejë mjetet për t’i detyruar forcat ruse të rikthehen në vendin e tyre dhe të sigurohen që ato të qëndrojnë atje, aq më mirë do të ketë. Të gjithë duhet të synojmë një përfundim të shpejtë të luftimeve. Paradoksalisht që kjo të ndodhë kjo, duhet t’ia bëjmë të qartë Putinit se ne do të qëndrojmë në këtë kurs, pavarësisht sakrificave dhe sa kohë të duhet.

Nuk ka kuptim dërgimi i pafund të rinjve rusë që përdoren si mish për top në fushën e betejës. Vladimir Putin nuk do ta fitojë këtë luftë. Në fakt, ai tashmë e ka humbur, por nëse Ukrainës i hiqen mjetet për të shkaktuar fundin e saj të shpejtë, Putin mund ta zgjasë atë ose të krijojë një konflikt gjysmë të ngrirë.

Vetëm një paqe e drejtë do të jetë e qëndrueshme, dhe vetëm duke respektuar kufijtë ndërkombëtarë të Ukrainës, shtetësinë, demokracinë dhe të drejtën për të zgjedhur llojin e vendit që dëshiron të jetë, mund të shkohet drejt një paqe të drejtë.

Kjo është kaq e rëndësishme sepse justifikimi i Rusisë për agresionin e saj bazohet në mohimin e shtetësisë së Ukrainës, që nga ana e saj bazohet tek një ideologji nacionaliste dhe imperialiste ruse, në të cilën nuk ka vend për një komb apo identitet të veçantë ukrainas.

Rusia e mohon të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar dhe ukrainasve identitetin e tyre, duke i etiketuar ata si “armiku total” sipas përkufizimit të teoricienit politik nazist Carl Schmitt. Në ideologjinë e tij të deformuar, një armik total jo vetëm që duhet mposhtur, por duhet të fshihet nga faqja e dheut. Jo për atë që bën, por për atë që është.

Këtu qëndron justifikimi i Rusisë për agresionin e saj, krimet e panumërta të luftës, torturat, rrëmbimet dhe shpëlarjen e trurit të fëmijëve, si dhe zhdukjen e librave ukrainas nga bibliotekat e Ukrainës. Dhuna e ushtruar mbi ukrainasit vetëm për shkak se ata janë ukrainas, është e krahasueshme me Terrorin e Kuq të Stalinit, kur miliona njerëz të pafajshëm u vranë si “armiq të klasës”.

Terrori funksionoi pikërisht sepse synonte konformitetin e detyrueshëm ndaj shtetit. Tashmë është e qartë se pasi është zhytur gjithnjë e më thellë në autoritarizëm gjatë 15 viteve të fundit, Rusia është bërë tashmë një shtet totalitar. Cilido që i reziston regjimit rrezikon të bjerë nga dritarja e kateve të larta ose minimumi të përfundojë në burg për 15 vjet.

Terrorizimi i njerëzve për t’u konfirmuar me Kremlinin, i vendos njerëzit në një pozitë gjithnjë e më të cenueshme që mendojnë ndryshe. Antisemitizmi në Rusi është sot i shfrenuar, pakicat seksuale jetojnë nën një frikë të vazhdueshme, ndërsa racizmi dhe ksenofobia nuk njohin kufij. Kjo është sot Rusia.

Këtij vendi do t’i duhet një kohë shumë e gjatë për të marrë veten nga gjendja aktuale, edhe pasi njeriu përgjegjës për kthimin e vendit në një regjim totalitare të largohet nga skena politike. “Helmimi” gradual i kombit rus i kërkoi Putinit 20 vjet, ndërsa detoksifikimi mund të zgjasë një brez, dhe rezultati do të mbetet i paparashikueshëm.

Përveç sigurimit që Ukraina të arrijë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt që të jetë e mundur, ne duhet gjithashtu të mbështesim kolektivisht përpjekjet e Ukrainës për ta transformuar veten në një komb të begatë, të bazuar në sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore.

Në këtë kuptim, procesi i anëtarësimit në BE mund të jetë transformues, dhe këtë na e kanë treguar përvojat e mëhershme. Pasi ajo ka ndihmuar dikur Greqinë, Spanjën, Portugalinë, dhe më vonë vendet në Evropën Qendrore të kapërcejnë të kaluarën e tyre diktatoriale dhe mund të bëjnë imune Ukrainën kundër një të ardhmeje diktatoriale.

Dy herë gjatë jetës time historia ka marrë një kthesë të mprehtë, duke na vendosur në një rrugë të re:kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, duke lejuar ribashkimin e evropianëve, dhe një vit më parë kur Rusia pushtoi Ukrainën, duke i detyruar evropianët të mbrojnë dhe forcojnë atë që e kanë më të shtrenjtë.

Në rrethanat aktuale, integrimi i Ukrainës duhet të ndodhë shumë më shpejt sesa ka ndodhur zakonisht në të kaluarën. Megjithatë do të ishte një gabim i rëndë sakrifikimi i përmbushjes së standarteve:një integrim i pjesshëm apo me të meta në BE, do të lërë pa adresuar disa mangësi, duke dobësuar si Ukrainën ashtu edhe BE-në.

Prandaj ajo që nevojitet është një përgjigje e tipit të Planit Marshall:një qasje e dimensioneve të paprecedenta, që duhet të kombinojë procesin e rindërtimit dhe transformimit ekonomik me transformimin ligjor, administrativ dhe social të nevojshëm për të funksionuar plotësisht si një shtet anëtar i BE-së.

Kjo gjë nuk është bërë kurrë më parë, por duhet të bëhet tani. Një nga detyrat tona më urgjente, si politikanët në BE ashtu edhe ata në shtetet kombëtare, është t’i përgatisim qytetarët tanë për këtë proces që do ta transformojë Ukrainën, por edhe BE-në, si dhe të ndërtojë strukturat ekonomike, financiare, politike dhe administrative të nevojshme për të përballuar këtë sfidë.

Regjimi rus na portretizon në perëndimorët si të dobët dhe dekadentë, si “Gayropa” që do t’i nënshtrohen ultranacionalistëve. Madje Putin ka pasur si aleatë forca politike në Evropë (dhe SHBA) të bindura për këtë gjë, njerëz që e lavdëronin atë si “një udhëheqës shumë fortë që qëndrone në mbrojtje të vlerave tradicionale evropiane”.

Populli ukrainas po e vërteton se ai e ka gabim, duke i turpëruar admiruesit e tij evropianë.

Të gjithë duhet të kuptojmë se çfarë është në rrezik me këtë luftë. 100 vite pas mishërimeve të tij të para, totalitarizmi është kthyer sërish në kontinentin tonë. Ai duhet vihet sa më shpejt nën kontroll dhe me pas demaskohet për atë që është, në mënyrë që të mposhtet dhe në fund të shkatërrohet nga populli rus.

Kjo luftë ka të bëjë më shumë se sa vetëm me fitimet apo humbjet territoriale. Kombi ukrainas, një komb evropian, po lufton për mbijetesën e tij. Një ideologji imperialiste që mohon ekzistencën e kombeve të tjera, nuk do të ndalet vetëm me robërimin e një kombi. Nëse agresioni lejohet të shpërblehet dhe autokracia të përhapet si një gangrenë, flakët e luftës do të përcëllojnë shumë vende të tjera evropiane

Të bashkuar dhe të vendosur, ne jemi shumë më të fortë sesa Putin dhe të ngjashmit e tij. Le të na frymëzojë heroizmi i kombit ukrainas, për të qenë gjithnjë e më të bashkuar dhe më të vendosur në mbështetjen e luftës së tyre. Sa më shumë që ta bëjmë këtë, aq më shpejt do të ndalet gjakderdhja në Ukrainë. /albeu.com

Shënim:Frans Timmermans, zv/president i Komisionit Evropian dhe ish-Ministër i Jashtëm i Holandës.

 

 

 


Shtuar 23.02.2023 10:01