“Shumë shpejt fillojnë protestat e fuqishme”, Berisha: Mbështesim pedagogët!

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me departamentin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Në takim, Berisha u garantoi mbështetje pedagogëve për protestën e nisur, ndërsa shtoi se shumë shpejt dhe PD do të zhvillojë protesta të fuqishme.

“Shumë shpejt do të fillojmë protesta të fuqishme. Nuk mund ta pranojmë këtë që po ndodh. Në vend që sheshet t’ia përshtaste tregut, ky u kthye në stilin atëror. Kush janë viktimat? Bizneset. Me ju do të bëj programin e arsimit të lartë, dhe ju garantoj se qeveria nuk mund të ketë buxhet nën 5% të GDP-së. Nuk mund të ketë konfiskim të lirisë akademike për ju. Përkundrazi, ne i besojmë asaj. Do të bëjmë gjithçka për të rivendosur bashkëpunim me të gjithë ekselencat shqiptare kudo që janë sot. Mendja, dija do të jetë forca rrënjësore e zhvillimit të Shqipërisë. Ju garantoj se këtë grevë që keni nisur, do ju japim të gjithë mbështetjen që meritoni për suksesin e saj”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 18.10.2022 19:23