Universiteti i Mjekësisë rrit me 8% pagat nga fondet e tij

Universiteti i mjekësisë ka vendosur të rrisë pagat për pedagogët me fondet e veta. Në vendimin e datës 26 Tetor, Universiteti i Mjekësisë bën të qartë se rritja me 8% e pagave do mbulohet nga të ardhurat e vetë universitetit.

Qeveria më herët ka vendosur që nga 1 Tetorit të rrisë me 15% pagat për personalin akademik, ku 7% mbulohet nga buxheti i shtetit dhe 8% nga vetë universitetet.

Në zbatim të këtij vendimi, Mjekësia është i pari universitet që ka miratuar plotësimin me 15% të rritjes së pagave.

Bordi i administrimit të këtij universiteti ka miratuar edhe shtesat në buxhetin e vitit 2022 në vlerën e 400 000 lekëve për paga dhe 50 000 lekëve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Vendimi për rritje të pagave me 15% për stafin akademik erdhi pas protestave të pedagogëve.

Një pjesë e pedagogëve ende protestojnë duke kërkuar një rritje 50% të pagës brenda dy vitesh. Por qeveria e ka konsideruar kërkesën e tyre të paarsyeshme.