EMRI/ U arrestua për korrupsion, SHÇBA merr vendimin për punonjësin e Policisë Rrugore

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë Rrugore në Durrës, Florian Skura, i cili u arrestua disa ditë më parë për korrupsion.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të Policisë pranë DVP Durrës, Nënkomisar F. S., i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik” për shtetasin F. S., 30 vjeç, me detyrë Specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas nenit 293/1 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neneve 18, 23 të ligjit për Policinë e Shtetit dhe Rregullores së Policisë së Shtetit, duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative”, thuhet në njoftimin e SHÇBA./albeu.com


Shtuar 13.09.2021 19:23