Tetova përgatitet për zgjedhje, pranimi i listave deri më 15 korrik

Komisioni zgjedhor komunal i Tetovës ka bërë gjitha parapërgatitjet për zgjedhjet lokale të gushtit, ku do votohet për këshilltarë komunal. Kreu i Komisionit zgjedhor komunal Nazmi Dauti, tha se po bëhet revidimi i listave të komisionerëve ndërsa po rrjedh afati i dorëzimit të listave.

“Kemi filluar me gjitha parapërgatitjet e duhura për realizimin e procesit zgjedhorë që do mbahet më 20 gusht. Komisioni tani bën  revidimin e listave të anëtarëve të këshillave zgjedhor. Afatin e fundit për pranimin e listave nga ana e partive politike apo të pavarurve e kemi deri më 15 korrik në ora 24, dhe të njëjtët duhet t`i dorëzojnë listat, ndërsa më pastaj brenda 24 orëve komisioni do shqyrtojë ato lista dhe nëse ka parregullsi njoftohen të njëjtat që ti përmirësojnë brenda 24 orëve dhe të sjellim vendimin për pranim apo jo të listës së dorëzuar”, tha Nazmi Dauti, Kryetar i KZK.

Deri më tani asnjë parti politike, nuk ka dorëzuar listat e kandidatëve për këshilltarë. Ndërsa partitë që planifikojnë të garojnë thonë se akoma s’është vendosur për koalicionime.

“Deri më tani nuk ka ndonjë koalicion. Ka pasur bisedime vetëm me ASH por deri më tani nuk ka ndonjë koalicion mes nesh. Më 12 korrik Lëvizja Besa ka thirrur kuvendin qendror ku do diskutohet për listat e këshilltarët dhe do jepen propozime pas çka do merret vendimi i partisë”, u shpreh Besar Durmishi nga Lëvizja BESA.

Më 20gusht në Tetovë do të votohet në gjithsej 117 vendvotime, ndërsa numri i votuesve, pritet të jetë rreth 83 000. Shpërbërja e këshillit të komunës së Tetovës u bë pasi paraprakisht nuk u arrit të miratohet llogaria përfundimtare e buxhetit, deri në 31 mars ashtu siç parashikonte ligji për vetëqeverisje lokale. / Alsat.mk/