RMV/ Goran Milevski largohet nga qeveria, Monika Zajkova ia ka vënë syrin karriges së kryetarit të PLD-së

U shpreh kundër propozimit francez, ndërsa shpeshherë bënte “probleme” edhe brenda koalicionit. Tani paralajmëron se do të tërhiqet nga funksioni Ministër për vetëqeverisje lokale.

“Pas tre viteve në funksionin e ministrit për vetëqeverisje lokale, mendoj se është koha për ndryshime dhe në këtë post të vijë kuadër i ri i PLD-së”, deklaroi Goran Milevski për TV21.

Shkrimet në disa media, siç mësojmë, bënë përçarje brenda partisë edhe pse publikisht askush nuk e pranon këtë. Deputetja dhe zëvendëskryetarja e PLD-së, Monika Zajkova në bisedë për TV21 tha se do të jetë sfidë për të, nëse në zgjedhjet e ardhshme e merr besimin që ta udhëhequr partinë.

“PLD-ja këtë vit po hyn në vitin e kongresit zgjedhor ku çdo anëtar dhe organet do të marrin vendime për programin dhe për zgjedhjen e kryesisë së re. Patjetër ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me kryesinë edhe në suazë të organeve, por edhe me anëtarët, kështu që pa marrë parasysh se si do të jetë vendimi, ne do ta përkrahim. Nëse e marrim përkrahjen e anëtarëve dhe kryetarit aktual, me kënaqësi do ta udhëheq partinë dhe do të punoj sipas rregullave liberale, ndërsa në të njëjtën kohë kjo do të jetë sfidë për mua për shkak se, në aspekt kronologjik, do të jem gruaja e parë në krye të PLD-së”, tha Monika Zajkova, deputete dhe zëvendëskryetare e PLD-së.

Goran Milevski për pak do të votonte për rrëzimin e qeverisë, ndërsa gjatë periudhës së fundit e lidhën me një sërë aferash, për nepotizëm në Ministrinë për vetëqeverisje lokale, urdhra joligjore kundër kritereve për zgjedhje të projekteve për uljen e pabarazive për 2021.

“Ligji u shkel me atë që nuk u respektuan rregullat dhje kriteret për shpërndarjen e parave të programit. Ministri Goran Milevski u ka dhënë urdhra joligjore anëtarëve kundër kritereve dhe ligjit që ata të marrin vendime për shpërndarjen e parave në komunat”, tha një burim për TV21.

Bëhet fjalë për mbi 1,4 milionë euro, para të buxhetit. Por Milevski thotë se nuk ka asnjë parregullsi.

“Mjetet po shpërndahen në komunat dhe ato i kanë në dispozicion këto para. Në 2021 kompetencat për këto para i kishte Byroja për zhvillim rajonal. Ne e marrim programin në vitin 2022.”- tha Goran Milevski, ministër i Vetëqeverisje Lokale.

Goran Milevski në 2015 e zëvendësoi Andrej Zhernovskin në krye të PLD-së, por sot ai ishte i pakapshëm për mediat për të dhënë koment për ndodhitë e fundit brenda partisë. Milevski është ministër për vetëqeverisje lokale që nga viti 2019. Në këtë funksion ishte në mandatin e parë të qeverisë së Zoran Zaevit, në qeverinë kalimtare, si dhe në Qeverinë Zaev 2. Në krye të kësaj ministrie mbeti edhe në qeverinë aktuale të Dimitar Kovaçevskit, që u zgjodh më 16 janar të këtij viti. Për postin e Milevskit tashmë përflitet emiri i Risto Penovit, ish-kryetar i Qytetit të Shkupit dhe deputet në dy mandate./TV 21/

 


Shtuar 17.09.2022 21:00