Letra që Françesk Radi shkroi për Adriano Celentanon dhe që s’ia dërgoi dot kurrë
Tefta Radi, bashkëshortja e Françesk Radit, ruan me kujdes një letër të shkruar me dorë të tij për këngëtarin e famshëm italian, Adriano Çelentano. Një letër që në fakt nuk u dërgua kurrë.
“Të takonte Çelentanon apo të fliste me të, ka qenë gjithmonë një ëndërr për Françeskun”, rrëfehet ajo. “Këtë letër e ruaj si një nga emocionet e tij të çmuara. E ka shkruar me nxitim, por edhe shkrimin ai vetë e ka pasur pak të çrregullt. Pasi e mendoi se çfarë do t’i shkruante, ai është matur shumë herë që t’ia niste Çelentanos, pasi ta përkthente dhe në italisht…”, thotë Tefta Radi për gazetaren Dhurata Hamzai, të “Shqiptarja.com”.

Përmbajtja e letrës së Radit për Celentanon:

“I dashur Adriano!
Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të flasësh për ty, sepse madhështia juaj nuk ka kufi, nuk ka moshë, por vetëm pafundësi. Ti për ne shqiptarët ke qenë dhe mbetesh figura më demokrate e kohës. Ishe Ti, shpirti yt, që me këngët e tua ushqente dhe vuloste në shpirtrat tanë, atë që quhet të qenët i lirë. Ne e dinim që muzika jote ishte një mollë e ndaluar për ne në atë kohë, por ky fenomen nuk na shqetësonte. Ne ishim gati edhe të sakrifikoheshim, vetëm e vetëm që të mbanim gjallë shpirtin, mos ta linim atë të vdiste.

Në qoftë se u përmbys regjimi totalitar, një meritë të madhe kishit edhe Ju Adriano, sepse ishte kënga dhe zëri yt që shqiptarët të shpërthenin zinxhirët e diktaturës antishpirtërore. Ata e dinin se muzika ishte shumë e rrezikshme për ta dhe donin ta prangosnin atë. Por fatkeqësisht nuk e dinin se tingujt nuk mbahen dot në pranga. Me dhjetëra herë na kanë dërguar në polici, sepse këndonim këngët e tua nëpër parqe, lulishte, plazhe, mbrëmje rinore. Ishe Ti Adriano që më dhe frymëzimin e parë për të kënduar dhe kompozuar. Sa herë ulesha për të krijuar, përpara meje shfaqej imazhi yt dhe kjo ma bënte më të sigurt dhe të garantuar suksesin tim. Më vjen keq që nuk e kam patur mundësinë të takohem me ty Adriano, me gjithë përpjekjet e mia të çiltra. Por siç duket ka qenë më e lehtë të këndoj këngët e tua të bukura dhe të vështira, se sa të takohem me ju.”

Fundi i historisë, i treguar nga Tefta Radi. Françesku, pavarësisht motivit për të cilën e shkroi këtë letër dhe digjej nga dëshira ta takonte qoftë edhe njëherë të vetme Adriano Çelentanon, nuk guxoi kurrë që t’ia dërgonte drejt Italisë. “Çelentano ka mijëra fansa, i dërgojnë qindra letra, dedikime..Pse ta shqetësoj”, pati thënë Françesk Radi.
Shtuar më 18/09/2019, ora 16:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori